Futboll

Shkëndija vlerësohet nga UEFA për “paraqitjen më të mirë të javës”

Shkëndija

“Fitorja e jashtëzakonshme e Shkëndijës vlerësohet si paraqitja më e mirë e xhiros”, është përshkrimi i UEFA-s të premten.

Konfederata Evropiane e Futbollit ka paraqitur në rrjetet sociale edhe golat e fitores 2:0 të Shkëndijës ndaj Slovan Bratislavës, të enjten mbrëma në Shkup. UEFA ka publikuar në uebfaqe fotografi të gëzimit të futbollistëve të skuadrës tetovare me tifozët e tyre.

“Kuqezinjtë” morën vëmendje të madhe nga Konfederata Evropiane e Futbollit pas fitores në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së ligës në “Conference League”. Ndeshja dhe fitorja kanë bërë që Shkëndija e Tetovës ta fitojë çmimin si “skuadra me paraqitjen më të mirë të xhiros”.

Forma e mirë në ndeshjet në shtëpi i ka dhënë Shkëndijës besimin se kualifikimi në fazën nokaut të Ligës së Konferencës është i mundur.

Me shtatë pikë, Shkëndija e Tetovës është në vendin e 21-të. Nga 36 ekipe sa janë në total në fazën e ligës, 24 avancojnë në fazën nokaut. Tetë të parat kualifikohen në 1/8 e finales.

Shkëndija në shtëpi ka dy fitore, ndaj Shelbournet dhe Slovan Bratislavas, dhe një barazim me Jagiellonian. Dy humbjet në udhëtim i ka nga Rayo Vallecano dhe Drita. Më 18 dhjetor, Shkëndija e luan ndeshjen e fundit në udhëtim tek AEK Larnaca e Qipros.

“Ende nuk e kemi siguruar vendin në ndeshjet që luhen në pranverën e ardhshme”, ka thënë trajneri Jeton Beqiri pasi e mbylli kampanjën në shtëpi si i pamposhtur. “Por, kam besim se do ta arrijmë këtë sukses”.

Optimizmi i tij mund të bazohet në mënyrën bindëse se si tetovarët e mposhtën skuadrën e njohur sllovake.

Liridon Latifi në minutën e 33-të harkoi nga këndi, ndërsa topin gabimisht e shtyu në portën e vet mbrojtësi slloven, Kenan Bajriq. Në minutën e parë shtesë, në pjesën e parë, Ronaldo Webster u kthye në asistues për Sebastjan Spahiun që shënoi nga afërsia për 2:0.

Shkëndija u duk e qetë deri në përfundim të ballafaqimit, ndërsa iu afrua golit të tretë edhe me Fiton Ademin, që e qëlloi transversalen dy minuta para fundit.

“Paraqitja ishte shumë e mirë”, është shprehur trajneri Beqiri.

Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, luajti Drita. Skuadra gjilanase u mposht 3:0 nga AZ Alkmaari, skuadra e njohur holandeze.

Për Dritën, që i ka tetë pikë në vendin e 19-të, ishte disfata e parë. Ka fitore ndaj Shelbournet dhe Shkëndijës, dhe barazime me KuPS-in e Omonian.

Drita ndeshjen e fundit e luan në udhëtim te Rayo Vallecano në Spanjë. Është ende me gjasa për avancim direkt në 1/8 e finales.