Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, tashmë ka siguruar të paktën paraqitjen në Ligën e Konferencës. Por trajneri i tetovarëve, Jeton Beqiri, pret nga lojtarët e tij maksimumin për të arritur kualifikimin historik në Ligën e Evropës.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar fitoi 2:1 ndaj Ludogoretsit bullgar, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Evropës. Beqiri shpreson që lojtarët e tij do të arrijnë rezultat pozitiv edhe në Razgrad për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës.
“Gjatë një ndeshje ka një histori të gjatë. Nuk mund të jesh gjithmonë ofensiv, apo të jesh defensiv. Në momente të veçanta do të jemi edhe ofensiv, pasi nuk kemi epërsi të lartë. Do të mundohemi ta bëjmë ndeshjen tonë më të mirë, të japim maksimumin, të jemi shumë të disiplinuar sa i përket aspektit defensiv dhe t’i shfrytëzojmë rastet. Kemi të bëjmë me kundërshtar të fortë dhe në çdo moment mund të dënoj në rast se nuk je i fokusuar 100 për qind”, ka thënë Beqiri në konferencën për media.
Ai insiston se lojtarët e tij duhet të jenë të uritur për sukses historik.
Ndeshja luhet të enjten nga ora 19:30.
“Kemi siguruar paraqitjen në Ligën e Konferencës, por me rastin që na është dhënë dhe fitoren në Shkup, pse jo të kualifikohemi në Ligën e Evropës. Por gjithnjë duke respektuar kundërshtarin, duke dhënë maksimumin dhe duke mos krijuar asnjë lloj euforie për shkak se ne jemi duke shijuar momente të mira sa i përket në Maqedoni të Veriut dhe ekipit tonë. Do të tentojmë gjithçka për gjithçka. Nuk kemi për të humbur asgjë, pasi diçka kemi arritur. Por do të jemi të uritur dhe duhet të besojmë. Duke besuar dhe duke dhënë maksimumin shpresojmë të arrijmë kualifikimin që do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka theksuar Beqiri.