Botë

Forcat izraelite vrasin me gjakftohtësi palestinezët që shihet se u dorëzuan

Forcat izraelite vrasin me gjakftohtësi palestinezët që shihet se u dorëzuan

Foto: Associated Press

Forcat izraelite kanë vrarë të enjten dy burra palestinezë në Bregun Perëndimor edhe pse, sipas pamjeve, ata u dorëzuan paraprakisht, duke nxitur akuzat e palestinezëve se burrat u vranë me gjakftohtësi. Ushtria e Izraelit ndërkohë ka njoftuar se ka nisur hetimin.

Vrasjet, siç kanë treguar pamjet e transmetuara në dy televizione arabe, ndodhi pas ofensivës së fundit izraelite në Bregun Perëndimor, ku ushtria ka rritur aktivitetet gjatë dy vjetëve të fundit. Izraeli ka thënë se po ndjek militantë, por palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë Izraelin për tejkalim të forcës së përdorur dhe se ka vrarë dhjetëra civilë të paarmatosur.

Të enjten, Ushtria e Izraelit dhe forcat policore kombëtare kanë njoftuar se kanë nisur hetimin për vdekjen e dy të rinjve, ndaj të cilëve u shtie nga policia kufitare, njësi speciale që shpesh vepron krahas ushtrisë izraelite.

Në një video të publikuar në Palestine TV, pa zë, dy burrat dalin nga një garazh me duar në kokë dhe duke tërhequr bluzat për të treguar se nuk po bartin eksplozivë. Ata urdhërohen të ulen në tokë dhe goditen nga një polic. Më pas urdhërohen të kthehen në garazh. Sipas videos së publikuar nga Al-Ghad, televizion egjiptian, burrat përsëri urdhërohen të dalin te hyrja e garazhit. Sapo rrethohen nga trupat, dëgjohen të shtëna dhe burrat bien në tokë, sipas gjasave të pajetë. Të paktën një ushtar shihet duke shtënë.

Në një deklaratë, ushtria izraelite ka thënë se dy burrat ishin militantë që kërkoheshin në Jenin dhe që kishin hedhur eksplozivë dhe kishin shtënë në drejtim të trupave.

Aty thuhet se pasi të dy u dorëzuan dhe dolën nga ndërtesa “u shtie ndaj të dyshuarve”. Po ashtu është thënë se ngjarja është “nën hetim” dhe do t’u referohet “organeve profesionale përkatëse”.

Palestinezët dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se hetime të tilla pak kryejnë punë dhe se trupat izraelite rrallë gjykohen.

Ministri i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, i cili mbikëqyr policinë kombëtare, ka lavdëruar forcat izraelite duke thënë se kanë vepruar “pikërisht siç pritet prej tyre – terroristët duhet të vdesin!”

Zyra e kryeministrit palestinez ndërkaq ka akuzuar Izraelin për ekzekutim me gjakftohtësi. Ajo i ka quajtur të shtënat vrasje që shkel hapur të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Autoritetet palestineze i identifikuan të vrarët si Al-Muntasir Abdullah 26-vjeçar dhe Yousef Asasa 37-vjeçar. Sipas tyre, Izraeli i ka marrë trupat.