Kronikë

Kryeprokurori për të shtënat në Komoran: Të përfshirët kanë të kaluar kriminale

kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Tre personat e dyshuar për incidentin e sotëm në Komoran të Drenasit kanë të kaluar kriminale, ka thënë kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Për rastin e përleshjes dhe të shtënave me armë zjarri nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, por me një mosmarrëveshje që ka nisur para tri javësh.

Në një deklaratë para mediave në vendin e ngjarjes, Gashi tha se personat e dyshuar nuk janë arrestuar, ndërkohë qenë Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona të përfshirë në incident janë shoqëruar më vonë, raporton KosovaPress.

“Jemi në Komoran pas një informate për një mosmarrëveshje, një incidenti që ka ndodhur mes një personi dhe dy të tjerë, marrëveshje e cila kishte filluar para tre jave, mirëpo gjendja faktike është vërtetuar krejt e kundërta pasi që incidenti në fjalë nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me procesin zgjedhor dhe ka të bëjë me tre të dyshuar të cilët kanë precedent penal dhe nuk lidhen me procesin zgjedhor... Arsyet e konfliktit nuk dihen në detaje, mirëpo sipas informatave të para që i kemi kjo lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme para tri jave, të njëjtit janë të dyshuar për grabitje dhe vepra penale ordinere dhe nuk lidhen me procesin zgjedhor. Ajo që është me rëndësi për neve të cilët kemi qenë të shqetësuar është që ky rast nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin e procesit zgjedhor dhe kjo është me rëndësi”, deklaroi ai.

Gashi tha se për momentin nuk ka persona të ndaluar, meqë të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Është një gjuajtje me armë, mirëpo nuk ka të bëjë, nuk kemi të vërtetuar ende gjendjen faktike në saktë detaje, nëse me armë është gjuajtur në drejtim të personave të cilët kanë qenë të involvuar, mirëpo për momentin këto janë informatat e para... Nuk ka persona të ndaluar, personat të cilët kanë qenë të involvuar kanë ikur nga vendi i ngjarjes, mirëpo Policia dhe Prokuroria do t’i sjellin dhe do t’i arrestojnë sa më shpejt”, tha ai.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi tha se nuk ka asnjë person të lënduar, por dëmtime prone.

“Të njëjtit fillimisht janë goditur me disa shufra metali për të cilat edhe e kanë dëmtuar veturën këtu afër dhe njëri prej personave të dyshuar ka gjuajtur me armë njërin, mirëpo nuk e dimë saktë nëse kanë gjuajtur në drejtim këtu. Për momentin jemi duke i marrë kamerat afër, incizimet që kemi dhe do të dalim me detaje tjera në takime tjera”, përfundoi ai.

Policia e Kosovës ka njoftuar më vonë se dy persona janë shoqëruar në lidhje me rastin, duke thënë se incidenti nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në nivel të komunave. 

Lexo përditësimet tjera
k

Të shtëna me armë në Drenas, shoqërohen në polici dy persona

Dy persona janë shoqëruar në Polici pas të shtënave me armë në Komoran Drenasit. Sipas Policisë...