Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj dy të dyshuarve për mashtrim e falsifikim të dokumenteve

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve M.T. dhe I.L., për shkak të veprës penale “Mashtrimi. Ndërsa për të pandehurën I.L., po ashtu, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Të dyshuarit në mars të vitit të kaluar kanë vënë në lajthitje një person, duke paraqitur fakte të rreme, se ia kanë siguruar vajzës së tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.

“Ndërsa, personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshëm ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti ‘Goethe’, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, thuhet në njoftim.

Me qëllim të sqarimit lidhur me të pandehurin M.T., sipas informatave fillestare i njëjti ka ushtruar profesionin e avokatit, mirëpo pas konfirmimit nga Oda e Avokatëve të Kosovës, rezulton se i pandehuri nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të OAK-së, po ashtu, pas veprimeve të mëtejme hetimore është vërtetuar se i njëjti ka një zyre ligjore në Graçanicë, përmes së cilës ofron shërbime ligjore.

Lidhur me këtë çështje penale është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante, për ta ndriçuar në plotëni këtë rast.