Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit pesë të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se F.U., J.M., B.L., G.H., dhe NN., në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumentin, në atë mënyrë që të pandehurit F.U., J.M., B.L., dhe N.N, kanë shkuar në një restorant afër zyrës së noterit G.H., dhe i pandehuri NN, me letërnjoftim të falsifikuar është paraqitur me emër të S.V., i cili kishte vdekur në vitin 1986, e pastaj me ndihmën e noterit, kanë përpiluar autorizimin kinse S.V., autorizon F.U., në shitjen e parcelave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProkuroria në njoftim ka shpjeguar tutje se të pandehurit më pas e kanë përdorur autorizimin për legalizimin e përmbajtjes së pavërtetë në zyrën kadastrale në Ferizaj, për t’i regjistruar pronat në emër të A.L., L.S dhe N.S. Me këto veprime kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje.
Për të pandehurin F.U., dhe N.S., sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje me të pandehurat A.L., dhe L.S., në zyrën e noterit G.H., me qëllim të tjetërsimit të ngastrave kadastrale, ka përdorur dokumentin e falsifikuar, dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rremë”.
Ndërsa, sipas Prokurorisë, për të pandehurin G.H., ekziston dyshimi si person zyrtar- noter në Ferizaj, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për të pandehurit tjerë, çka me këtë veprim ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se 9 mars 2023, në zyrën noteriale në Ferizaj, si person zyrtar ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër në atë mënyrë që ka hartuar kontratën në gjuhën serbe mbi shitblerjen e paluajtshmërisë, në mes të personave D.R., dhe D.R., si shitës, të cilët i ka përfaqësuar sipas autorizimit H.R., dhe personit N.R., si blerës, për shitblerjen e ngastrave kadastrale në Zonën Kadastrale Babushi serb, në të cilën kontratë është përfshirë edhe ngastra kadastrale në sipërfaqe prej 1724 m2. Andaj me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria sqaroi tutje se për të pandehurit J.M., B.L., dhe i pandehuri NN, ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje kanë ndihmuar personin zyrtar, të pandehurin G.H.,- noter në Ferizaj, në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se kanë ndihmuar në hartimin e Autorizimit të datës 14.03.2024 , me të cilin është autorizuar i pandehuri F.U., për shitblerjen e ngastrave kadastrale të pronarit S.V., edhe pse kanë qenë në dijeni se i pandehuri NN nuk ka qenë S.V., i cili kishte vdekur në vitin 1986, i cili autorizim pastaj është përdorur në zyrën e noterit për shitblerjen e ngastrave kadastrale. Me këtë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.S., në bashkëkryerje me të pandehurën L.S., në zyrën e noterit G.H., kanë blerë sendin e përfituar nga vepra penale dhe me këtë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale".
Nga 28 prilli të pandehurit janë në masën e ndalimit 48-orësh.