Inspektorati Policor i Kosovës për dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër zyrtarëve policorë.
Lidhur me rastin e parë fillimisht thuhet se Policia e Kosovës kishte pranuar informacion të dielën në mbrëmje, siç theksohet për një incident në një fshat të Ferizajt ku dyshohej se një i mitur ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person me rroba civile e që është prezantuar si zyrtar policor.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vetparaqitur në stacion policor pas incidentit. Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për zyrtarin në fjalë kurse rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me dyshimin për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, thuhet në njoftim.
Në rastin tjetër, IPK-ja thuhet se në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë, lidhur me një incident ku ata dyshohet se janë të përfshirë si të dyshuar e që theksohet se raportohet të ketë ndodhur para mesnatës më 30.06.2025 në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
“Hetimet lidhur me këtë rast ndaj tre zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt më dyshimin për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë thuhet se pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.