Kronikë

I dënuari me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqa, kërkon zbutje të dënimit ose rigjykim

Avokati Skënder Musa, që mbron Dardan Krivaqën, ka deklaruar se procesi në shkallën e parë të gjykimit është përcjellë me tensione e kanosje dhe nuk janë marrë parasysh propozimet e tij. E vetë i dënuari me burgim të përjetshëm nga Themelorja, ka kërkuar falje për vrasjen e Marigona Osmajit, e që sipas tij ka ndodhur nën efektin e narkotikëve. Por, avokati Gazmend Rexhepi, që përfaqëson palën e dëmtuar, është shprehur se dënimi me burgim të përjetshëm është masë adekuate për krimin e kryer

Me arsyetimin se krimin e ka kryer nën ndikim të narkotikëve, Dardan Krivaqa të hënën, para kolegjit të Gjykatës Supreme, ka kërkuar zbutje të dënimit ose rikthim të çështjes në rigjykim.

Krivaqa është i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj, e vërtetuar edhe nga ajo e Apelit, për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ai ka shprehur pendesë për ngjarjet e 21 dhe 22 gushtit 2021.

“Desha veç të kërkoj falje, më vjen keq për atë që ka ndodhur, ka qenë e paqëllimshme me efekt të narkotikëve”, ka deklaruar Krivaqa.

Avokati Skënder Musa, që mbron Krivaqën, ka deklaruar se procesi në shkallën e parë të gjykimit është përcjellë me tensione e kanosje dhe nuk janë marrë parasysh propozimet e tij.

“Gjykata ka zgjedhur të mos i përmendë fare propozimet e refuzuara në aktgjykim në vend se t’i arsyetojë ato dhe t’i japë arsyet e qarta pse janë refuzuar. Fjalën përfundimtare që ju e keni në shkresa të lëndës, asnjë fjalë nuk e ka përfshirë në aktgjykim. Asnjë fjalë nuk është e shënuar prej fjalës përfundimtare të mbrojtjes në aktgjykimin e shkallës së parë”, ka thënë Musa.

Avokati Musa ka kërkuar që nëse çështja kthehet në rigjykim, të mos trajtohet nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

E avokati Gazmend Rexhepi, që përfaqëson palën e dëmtuar, është shprehur se dënimi me burgim të përjetshëm është masë adekuate për krimin e kryer.

“Mizoria konstatohet edhe sipas komentarit për shkak se shihet në video-xhirime që e ndjera nuk ka konsumuar ushqim. Realisht në video-xhirime shihet qartë që dy të dënuarit tashmë hanë pica, pinë ujë. E ndjera për ato 72 orë sa është ekzaminuar, 48-72 orë, asnjëherë ushqim nuk ka marrë. E ndjera shihet duke u bartur herë në një dhomë, herë në tualet me hematoma dhe me lëndime shumë të rënda”, ka theksuar Rexhepi.

Më 29 korrik 2024, në rigjykim Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, kurse Arbër Sejdiu me 15 vjet për ndihmë në vrasje.

Krivaqa ishte i akuzuar edhe për dhunim, por për këtë vepër nuk është gjetur fajtor. Në aktakuzën e ngritur më 28 qershor 2022, thuhet se Krivaqa më 21 gusht 2021, në banesën e tij, pa pëlqimin tani të së ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e ka abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Në aktakuzë thuhet se, në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, Krivaqa kishte marrë një shkop, e së bashku me Sejdiun kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet ajo ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta. Në aktin akuzues thuhet se vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë. Viktimën, të akuzuarit e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm - Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.