Kronikë

Apeli ia vërteton dënimin me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqës

Dardan Krivaqa

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt duke konfirmuar se Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, Apeli ka vërtetuar dënimin prej 15 vjetësh edhe ndaj Arbër Sejdiu, i akuzuar për ndihmë në vrasjen e rëndë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të prokurorisë dhe të mbrojtësve të të akuzuarve sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk qëndrojnë, e gjithashtu ka konstatuar se nuk ka shkelje tjera të dispozitave të procedurës, për të cilat shkelje kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e këtij aktgjykimi.

“Kolegji gjykues vlerëson se, gjykata e shkallës së parë ka analizuar të gjitha provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me këto prova ka paraqitur konkludimet e saj, të cilat i vlerëson si të drejta, objektive dhe të ligjshme. Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa në raport me pretendimet ankimore të mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me dispozitën ligjore, sepse e ka pasur të ndaluar dhe të pamundshëm shqiptimin e dënimit të përjetshëm, Apeli vlerësoi se ky pretendim nuk qëndron.

Më 4 gusht të vitit 2023, Gjykata Themelore e Ferizajt e pati dënuar me burgim të përjetshëm Krivaqën, ndërsa e kishte liruar nga akuza për dhunim. Sejdiu qe dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e Marigona Osmanit. Edhe ky i fundit ishte liruar nga vepra penale e dhunimit. 

Çështja ishte kthyer në rigjykim me aprovim të Gjykatës së Apelit, më 29 korrik 2024. Edhe në atëkohë, Themelorja e pati shpallur fajtor Krivaqën duke e dënuar me burgim të përjetshëm. 
18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.