Kronikë

I akuzuari për vrasjen e gruas kërkon dënim minimal, familja e së ndjerës dënim të përjetshëm

Bajram Veliaj, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Armenda Aliu, nga trupi gjykues në Gjykatën e Prizrenit ka kërkuar që t’i shqiptohet dënim i lehtë, duke u arsyetuar me moshën dhe sëmundjet nga të cilat vuan. Por familja e viktimës, që u qëllua me 15 plumba në gushtin e vitit 2019, duke e quajtur vrasje brutale, ka kërkuar që Veliaj të dënohet me burgim të përjetshëm

Dënim maksimal po kërkon familja e së ndjerës Armenda Aliu, pak ditë para se Gjykata të vendosë për bashkëshortin e saj, që akuzohet për vrasje. Të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të gjitha palët në këtë rast kanë paraqitur fjalën përfundimtare.

Avokati i familjes së viktimës, Arianit Koci, e ka quajtur vrasje brutale, duke kërkuar burgim të përjetshëm, pasi, siç ka thënë ai, e parasheh edhe Kodi Penal.

“Dilema është çfarë dënimi duhet t’i shqiptojë të akuzuarit. Ky është rasti më brutal i vrasjes që nga paslufta. Gjykata duhet me dërgu mesazh në shoqëri dhe duhet të dënohet me burgim të përjetshëm”, ka thënë Koci.

E prokurorja Ervehe Gashi, gjatë fjalës përfundimtare, e ka shpjeguar tërë procesin duke thënë se të gjitha provat dhe dëshmitarët kanë vërtetuar dyshimet se Bajram Veliaj e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

“Motivi i kryerjes është mosmarrëveshja paraprake që kishte me viktimën dhe fakti se ajo pas mosmarrëveshjes largohet nga shtëpia. Kjo prokurori nuk ka gjetur asnjë fakt e rrethanë lehtësuese”, ka thënë ajo.

Orhan Rekathati, avokat i të akuzuarit, ka thënë se në ditën kritike e ndjera, për arsye të panevojshme e kishte nisur konfliktin me bashkëshortin e saj, tashmë të akuzuarin.

“Në ditën kritike i akuzuari dhe e ndjera kanë shkuar së bashku për të ngrënë drekë dhe diku kah ora 22:00, Armenda nuk ka pranuar që Bajrami ta dërgonte në Prishtinë. Këtu ka lindur konflikti i ashpër. Në këtë ankth të nervozitetit del dhe e privon nga jeta Armendën”, ka thënë ai.

Me të marrë fjalën i akuzuari ka thënë se “nuk është e vërtetë që kemi pasur mosmarrëveshje”.

Bajram Veliaj, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, disa herë ka kërkuar falje dhe ka thënë se është penduar për atë se çfarë ka bërë, duke kërkuar nga Gjykata dënim më të lehtë.

“Të gjithë ju që jeni këtu dhe i gjithë opinioni le ta dinë, nuk ka vrasje me dashje, sikur të kishte qenë një vrasje me dashje apo me paramendim, sot nuk do të isha këtu. Për hir të moshës që kam dhe disa sëmundjeve kronike, që nuk janë të pakta, dua një dënim sa më të lehtë që është e mundshme, ngase edhe mua më presin nipa e mbesa”, ka shtuar ai.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e të cilën e posedon edhe KOHA, Bajram Veliaj akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, e cila sipas aktakuzës thuhet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, Armenda Aliu, e cila kishte tentuar të largohej nga shtëpia.

Por Veliaj menjëherë kishte marrë një pistoletë dhe në momentin që e kishte vërejtur bashkëshorten, kishte shtënë pesëmbëdhjetë herë në drejtim të saj, me ç’rast atë e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve 42-vjeçarja vdes në vendin e ngjarjes.

Trupi gjykues ka vendosur që paraditen e së premtes të shpallet aktgjykimi.