Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Burgim të përjetshëm për burrin që vrau bashkëshorten me 15 plumba

Rreth dy vjet pas vrasjes në Prizren të Armenda Aliut, bashkëshorti i saj këtë të premte është dënuar me burgim të përjetshëm. Bajram Veliaj, i cili shtiu 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” e “Armëmbajtje pa leje”

Dënim maksimal i është shqiptuar këtë të premte Bajram Veliajt për vrasjen e bashkëshortes së tij, Armenda Aliu. Gjykata Themelore në Prizren, me aktgjykim e ka shpallur fajtor Veliajn, për veprat penale “Vrasje e rëndë” e “Armëmbajtje pa leje”, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjyqtarja Raime Elezi ka thënë se të njëjtit i është konfiskuar edhe arma, me të cilën e ka kryer krimin.

“Të dëmtuarat Diellza e Bardha Hoti, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontekstin e rregullt civil. Ndaj të akuzuarit Bajram Veliaj, vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Prej të akuzuarit Bajram Veliaj konfiskohet pistoleta”, ka thënë ajo.

Pas leximit të aktgjykimit, gjyqtarja e ka arsyetuar vendimin, duke treguar se nuk kanë gjetur rrethana lehtësuese, por vetëm ato rënduese. Në arsyetimin e trupit gjykues, përmendej edhe që Veliaj, pasi që e kishte kryer veprën kishte telefonuar motrën e viktimës, duke i treguar për vrasjen.

“Ka gjetur rrezikun shoqëror të veprës, duke pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari gjatë shtënies, nuk ishte i kënaqur deri në plumbin e 15. Shkallën e rrezikut të vlerës së mbrojtur, sjelljen e tij të kryer pas veprës penale, ku është shprehur me gjakftohtësi dhe guxim të madh në momentin kur thërret anëtarin e ngushtë të familjes së saj”, është shprehur gjyqtarja Elezi.

Edhe Vendimi për zbutjen e dënimit për vrasësin e Armenda Aliut shkon në Supreme Arbëri Vendimi për zbutjen e dënimit për vrasësin e Armenda Aliut shkon në Supreme

Të pranishëm gjatë kësaj seance ishin familjarë të Armenda Aliut, por aty nuk u panë edhe dy vajzat e saj. Ata nuk kanë dashur të flasin për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Avokati mbrojtës i Bajram Veliajt, Orhan Rekathati ka thënë se do të dërgojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Prej fillimit i akuzuari e mohoi elementin inkrimunes të dashjes. Pasi të marrim aktgjykimin, do të vlerësojmë edhe do të shohim a do të bëjmë ankesë a jo, por qëndrimi ynë dhe i të akuzuarit është që të bëhet ankesa”, është shprehur ai.

Veliaj, dy ditë më parë, në seancën ku u mbajt fjala përfundimtare, kishte kërkuar dënim të lehtë, duke thënë se veprën nuk e kishte kryer me dashje, gjë që nuk është marrë parasysh nga gjykata.

Edhe Dënohet me burgim të përjetshëm Bajram Veliaj për vrasjen e bashkëshortes Kronikë Dënohet me burgim të përjetshëm Bajram Veliaj për vrasjen e bashkëshortes

“Për hir të moshës që kam dhe disa sëmundjeve kronike, që nuk janë të pakta, dua një dënim sa më të lehtë që është e mundshme, ngase edhe mua më presin nipa e mbesa”, ishte shprehur ai në seancën e 29 shtatorit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Veliaj vrau gruan e tij, Armenda Aliu, pas një mosmarrëveshjeje me të, në gusht të 2019-s. Viktima kishte tentuar të largohej nga shtëpia, por Veliaj menjëherë kishte marrë një pistoletë dhe në momentin që e kishte vërejtur bashkëshorten, kishte shtënë pesëmbëdhjetë herë në drejtim të saj, me ç’rast atë e kishte goditur 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e plagëve, 42-vjeçarja kishte vdekur në vendin e ngjarjes.