Disa baraka afër QKUK-së janë përfshirë nga zjarri të mërkurën në rrugën “Holger Petersen”, në Prishtinë.
Policia e Kosovës i tha KOHËS se informata për zjarr është marrë në orën 15:45 dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar, përveç dëmeve materiale”, thuhet në njoftimin policor.
Për rastin ka reaguar edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Sipas këtij institucioni, zjarri shpërtheu në barakat e banimit privat, që janë në afërsi të Klinikës së Pulmologjisë, në hapësirat e QKUK-së.
“Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë së Kosovës dhe ekipit të zjarrfikësve, zjarri është shuar, e që ka mundur të paraqesë rrezik të madh për objektet spitalore. Detajet tjera do të bëhen të ditura nga organet policore që me ekipet e tyre kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.