Kronikë

Arrestohet një inspektor i punës, kërkoi ryshfet për të lejuar punimet

Arrestim

Policia e Kosovës ka arrestuar një inspektor të punës mbi dyshimin se kërkoi ryshfet për të lejuar zhvillimin e punimeve në një punishte. 

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka siguruar provat se pronari i një kompanie ndërtimi, i cili është ankues në rast, u kushtëzua nga inspektori që t’i jepte para nëse nuk donte t’ia ndërpriste punimet. 

Inspektori i ka kërkuar pronarit të kompanisë 2 mijë euro. 

“Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kanë arrit të sigurojnë informata/prova, të cilat dëshmojnë se pala ankuese/viktima M. K. (Pronar i një Kompanie Ndërtimi), shtetas i huaj me leje qëndrimi te përkohshme në Republikën e Kosovës, është kushtëzuar/penguar në realizimin e punimeve të ndërtimit nga një punonjës, respektivisht Inspektor i Punës në kuadër të Inspektoratit të Punës G. B., i cili dyshohet se ia ka kërkuar 2000.00 euro ryshfet që ta lejoj të punoj, në të kundërtën i Inspektori i ka thënë ankuesit se do t’ia ndërpres punimet që është duke i realizuar me kompaninë e tij”, njoftoi PK-ja.

Hetuesit kanë vërtetuar se inspektori i dyshuar me inicialet G.B. ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës” dhe “marrja e ryshfetit”. 

I dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për procedura të tjera ligjore.