Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një 30-vjeçar për një vrasje të ndodhur vitin e kaluar në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet A.B., i moshës 30 vjeç, i dyshuar për bashkëkryerje për një vrasje të ndodhur verën e vitit të kaluar në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kohë më parë, është shpallur në kërkim policor si i dyshuar për bashkryerje në veprën penale ’’Vrasje e rëndë”, e ndodhur më datën 10 korrik 2021, në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicën e Jugut, ku si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit ka vdekur viktima D. S., i moshës 49 vjeçar, ndërsa i plagosur kishte mbetur edhe një person tjetër.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Vrasja dhe plagosja kishin ndodhur në orët e para të 10 korrikut të vitit 2021, në Mitrovicë të Jugut,

“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë të datës 10 korrik.