Policia shqiptare ka arrestuar kosovarin Skënder Murtezi, i cili ka qenë i dënuar nga shteti i Zvicrës për vjedhje, grabitje, rrahje dhe vepra të tjera. Sipas njoftimit të autoriteteve shqiptare, 45-vjeçari, banues i fshatit Koshare të Ferizajt, është kapur në pikën e kalimit kufitar Morinë nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Policia njofton se ky arrestim u bë “si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën”
“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Zvicër, pasi Gjykata rajonale Aura Zvicër e ka dënuar me 2 vite e 9 muaj burg për veprat penale "Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur", parashikuar nga legjislacioni penal i Zvicrës. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Zvicrës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957”, thuhet në njoftim.