Janë dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Llazar Stohiljkoviq, Millan Adrejeviq dhe Borjan Dediq, për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Kremeshtak, Komuna e Zveçanit. Nga akuza e njëjtë është liruar Llazar Sasojeviq.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve është shpallur më 30 qershor në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, tre të akuzuarit Stohiljkoviq, Andrejeviq dhe Dediq, janë dënuar me nga 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë secili, të cilat dënime do të ekzekutohen pas marrjes së plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndryshe, të njëjtit janë shpallur të pafajshëm për pikën e tretë të aktakuzës e cila i ngarkonte edhe për shitblerje të narkotikëve.
Po ashtu, tre të akuzuarve iu është vazhduar masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Edhe
Nga 4 mijë euro gjobë për dy serbët që e pranuan fajësinë për sulmin e 2021-tës ndaj Policisë
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 6 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Llazar Spasojeviq, Llazar Stohiljkoviq, Millan Adrejeviq dhe Borjan Dediq.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Llazar Spasojeviq nga nëntori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2022 ka ndihmuar të pandehurin Llazar Radenkoviq në kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par.1 të KPRK-së, ndaj të cilit procedura është veçuar sepse është në arrati.
I akuzuari Spasojeviq akuzohet se duke vënë ne dispozicion mjetet për kryerjen e veprës penale dhe atë objektin në fshatin Kremeshtak, Komuna e Zveçanit dhe duke krijuar kushte pasi ka lidhur kontratën mbi qiramarrjen e objektit për tri vite, dhe i pandehuri Llazar Radenkoviq në periudhën prej muajit qershor e deri në shtator të vitit 2021, ka ndryshuar dhe ka zgjeruar objektin duke vendosur dyer metalike dhe pesë matës të rrymës.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par.1 të KPRK-së, e në lidhje me nenin 33, par.2 të KPRK-së.
Ndërsa, Llazar Stohiljkoviq, Millan Adrejeviq dhe Borjan Dediq, po akuzohen se që nga fillimi i muajit prill, e deri më 19 prill 2022, rreth orës 11:10 në fshatin Kremeshtak, Komuna e Zveçanit, së bashku me të pandehurin Llazar Radenkoviq, ndaj të cilit është veçuar procedura sepse është në arrati, në mënyrë të paautorizuar kanë prodhuar, kultivuar dhe përpunuar bimët, të cilat janë shpallur substancë narkotike.
Në lokacionin e lartcekur, thuhet se njësia e Departamentit të DHTN Mitrovicë – Veri gjatë bastisjes kanë gjetur tre të pandehurit në vendin e ngjarjes, derisa kanë përpunuar bimët të cilat janë shpallur substancë narkotike, të cilat kanë qenë të mbjella në vazo të madhësive të ndryshme dhe atë mbi 3 mijë vazo, të cilat i kanë thithur dhe tharë, e për këtë punë të cilën e ka bërë kanë fituar para.
Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, par.1 të KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa, të njëjtët po ashtu akuzohen se më 19 prill 2022, rreth orës 11:10 në fshatin Kremeshtak, Komuna e Zveçanit, së bashku me të pandehurin Llazar Radenkoviq, ndaj të cilit procedura është veçuar, në objektin në fshatin Kremeshtak, Komuna e Zveçanit, pa autorizim kanë poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes, e cila sipas Ligjit është shpallur për substancë narkotike.
Edhe
Rasti “Gropa”, dënohen të akuzuarit për prodhimin e narkotikëve
Sipas aktakuzës, gjatë bastisjes nga ana e Departamentit të DHTN Mitrovicë – Veri, dhe pas aprovimit të gjyqtarit për procedurë paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda UGJK nr 30/22, në hapësirat e këtij objekti janë gjetur substanca narkotike – marihuanë (THC), pesha totale 15 kg, e të cilat kanë qenë të gatshme për shitje të mëtutjeshme.
Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.1 të KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së, në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit, dhe në lidhje me nenin 275, par.1, pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi