Njëmbëdhjetë persona janë dënuar për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve. Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykimin pas shqyrtimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
S.Sh. dhe A.D. janë dënuar me nga 5 vjet e gjashtë muaj dhe me 5,000 euro. Z.S u dënua me 5 vjet dhe 5,000 euro, S.Y. me 4 vjet e gjashtë muaj si dhe 5,000 euro.
F.D., M.Y., A.D. dhe H.I. u dënuan me nga 4 vjet dhe 3,000 euro secili. B.H. u dënua me 3 vjet e gjashtë muaj dhe 3,000 euro. S.D. dhe M.Sh. me nga 3 vjet dhe 2,000 euro, S.Sh. dhe A.D. u është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak.
Të akuzuarve S.Z., F.D., A.D., M. Y., A.D., H.I. dhe S.Y. u llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 15 maji 2025 dhe u vazhdohet paraburgimi deri sa aktgjykimi ta marrë formën e prerë.
“Të akuzuarit S.Sh., A.D., B.H., S.Z., F.D., M.Y., A.D., H.I. dhe S.Y janë fajtor sepse: Nga muaji prill 2022 deri në 23 maj 2022, fillimisht të pandehurit S.Sh., A.D., S.Z., dhe S.Y., e organizojnë transportin e lëndës së parë për prodhimin e heroinës (ham) nga Irani në Turki dhe Greqi, pastaj në Maqedoni Veriore deri në destinacion në një depo në rrugën “A.B.” në Ferizaj, ku lëndën e parë i vendosin në thasë të çajit të zi, pastaj e ndërtojnë laboratorin në shtëpinë e B., në fshatin F., Komuna Shtërrpcë, ku i sigurojnë të pandehurit H.I., F.D., M.Y., dhe A.D., që të vijnë nga Turkia në Kosovë për të prodhuar heroinën në laborator që kishin ndërtuar, në këtë mënyrë që me datë 18 maj 2022 kanë filluar procesin e prodhimit të heroinës, ndërsa me datë 20 maj 2022 e kanë ndërpre prodhimin pasi kanë kuptuar se policia është duke i hetuar dhe për këtë arsyeje e bartin pjesën e heroinës të cilën e kishin prodhuar dhe pjesën e heroinës të pa përpunuar në shtëpinë e M.Sh., në fshatin V., Komuna Ferizaj, në mënyrë që ta presin ardhjen e Z.S., dhe S.Y., në Kosovë, derisa me datë 21 maj 2022, këta dy të fundit takohen me S.Sh., A.D., dhe A.D., lidhur me organizimin për prodhimin e pjesës së papërpunuar të heroinës, pas këtij takimi F.D., M.Y., dhe A.D., dërgohen në shtëpinë e M. ku kanë rifilluar prodhimin e lëndës narkotike të heroinës së papërpunuar deri sa me datë 23 maj 2022 policia regjionale e antidrogës në shtëpinë e M., gjejnë sasinë e heroinës në peshë prej 67.5 kg. të përpunuar dhe paketuar dhe 25.5 të papërpunuar, ndërsa me datë 30.08.2022 në një shtëpi të pa banuar në fshatin D., Komuna Ferizaj gjejnë edhe 25.5 kilogram morfin dhe kodein”, thuhet në vendimin e gjykatës.
S.D. u shpall fajtor për ndihmë logjistike në procesin e prodhimit të heroinës. M.Sh. sepse lëshoi me qira hapësirën e shtëpisë që shfrytëzohej për laborator për heroinë.