Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me një vit burgim Dushan Dobrac dhe me nëntë muaj burgim Millosh Radosavljeviqin për vendosjen e barrikadave në Zveçan më 2022. Të dy kishin arritur paraprakisht marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale. Ndërsa për 4 të akuzuarit e tjerë, procesi gjyqësor do të nisë me 15 shtator.
Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, të akuzuar lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit.
Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim.
Ndaj tyre ishte veçuar procedura gjyqësore pas arritjes së marrëveshjes me Prokurorinë Speciale.
Prokurori Admir Shala tha se qëndrojnë pranë marrëveshjeve të lidhura me dy të akuzuarit dhe kërkojnë nga Gjykata që t’i aprovojë pasi janë lidhur me vullnet të lirë, e këtë e pohuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve.
Millosh Radosavljeviq u shpall fajtor për veprën penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”.
“Të akuzuarit Millosh, i caktohet dënimi me burgim me kohëzgjatje prej 9 muajsh”, tha gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri.
Për të njëjtën vepër si dhe për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” u shpall fajtor edhe Dobrac.
Për të dy veprat penale ai u dënua me nga 6 muaj burgim.
“Paraprakisht, të dyshuarin Dushan Dobrac e gjykon për pikën një, për të cilën është shpallur fajtor, i cakton dënim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Për pikën 2, për të cilën është shpallur fajtor, cakton dënim me kohëzgjatje prej 6 muajsh”, tha Beqiri.
Seanca gjyqësore ndaj katër të akuzuarve të tjerë për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës më 2022 është shtyrë për 15 shtator, pasi në seancën fillestare të caktuar për këtë të hënë mungoi i akuzuari Nenad Orlloviq.
Dushan Maksimoviq, Nemanja Jolloviq, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orlloviq ngarkohen me veprën penale kundër rendit kushtetues për vendosje të barrikadave në veri të Kosovës më 2022.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit më 26 qershor 2026.
Të akuzuarit, sipas prokurorisë, dyshohet se kishin bllokuar rrugët kryesore me mjete të forta, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorre, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Sipas aktakuzës, qëllimi ishte pengimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore.