Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arritën marrëveshje për pranim fajësie, veçohet procedura për dy të akuzuarit për barrikadat në veri

barrikada

(Tekst i përditësuar) - Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare në gjykimin lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, është veçuar procedura për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë, raporton Ekonomia Online.

Paraprakisht, u bë e ditur se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviq, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, avokati Bogdan Llaziq.

Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit.

Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri tha se mungon i akuzuari Nenad Orloviq, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.

Po ashtu, mungoi edhe avokati Petroviq për të cilin i mbrojturi i tij Joloviq deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.

Gjithashtu, mungoi edhe avokati i Vuçiniq, Bogdan Llaziq, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.

Prezent në gjykim ishin prokurori special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobraq me avokatin Boban Petkoviq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq, i akuzuari Nemanja Joloviq, si dhe mbrojtësja e Orloviq, avokatja Donjeta Leka.

Gjykatësi Beqiri tha se me qëllim të sqarimit të mungesës së avokatit Petroviq, ndërpreu seancën për pesë minuta. Më pas, në seancë u paraqit edhe avokati Petroviq.

Pas pauzës 5-minutëshe, gjykatësi tha se për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe avokatit Bogdan Llaziq, dhe duke qenë se kanë në shkresa të lëndës dy marrëveshje për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, Gjykata i ftoi palët për mundësinë e veçimit të procedurës, e që sot të vazhdojnë me marrëveshjet për pranim fajësie me dy të akuzuarit Radosavljeviq dhe Dobrac.

Prokurori Shala tha se nuk e kundërshtojnë veçimin e procedurës, për qëllim të ekonomizimit të procedurës.

Edhe mbrojtësi i Radosavljeviq, avokati Mahmut Halimi propozoi të veçohet procedura për shkak të marrëveshjes për pranim fajësie.

Gjithashtu, mbrojtësi i Dobraq, avokati Boban Petkoviq nuk e kundërshtoi veçimin e procedurës, duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Fjalët e avokatëve të tyre i mbështetën dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.

Gjykatësi Beqiri tha se duke qenë se Gjykata i ka dëgjuar palët dhe pasi që për dy të akuzuar kemi marrëveshje për panim të fajësisë, atëherë me aktvendim veçohet procedura për të akuzuarit Radosavljeviq (për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetuese) dhe Dobraq(për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”).

Ndërkaq, në mungesë të të akuzuarit Orloviq dhe avokatit Llaziq, seanca fillestare u shty për 15 shtator.

Më 20 korrik 2026, në mungesë të të akuzuarit Nenad Orloviq dhe mbrojtësit të të akuzuarit Milosh Radosavljeviq, avokatit Mahmut Halimi, dështoi të mbahet seanca fillestare në këtë rast.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 qershor 2026 ka ngritur ndaj Dushan Maksimoviq (i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë), Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast.

“Grupi kriminal me në krye Milan Radojçiq kanë planifikuar strategjinë e bllokimit, koordinimit, logjistikën, monitorimin e Policës së Kosovës dhe vendosjen e qytetarëve dhe personelin në pika strategjike duke krijuar barrikada në rrugë dhe duke hapur gropa (istikame) apo pozicione ushtarake në shumë pjesë strategjike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e hartuar nga prokurori special, Admir Shala.

PSRK njoftoi se ndaj 11 të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Rrjedhimisht, në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiq.

Njëri i akuzuar dënohet me 1 vit burgim, tjetri me 9 muaj për barrikadat në veri më 2022

1 muaj më parë / 31 gus 2026 12:25
Gjykimi ndaj Millosh Radosavljeviqit dhe Dushan Dobracit

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, të akuzuar lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit. 

Radosavljeviq u dënua me 9 muaj burgim, kurse Dobrac me 1 vit burgim.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”, i akuzuari Radosavljeviq u shpall fajtor dhe u dënua me 9 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Dobrac u shpall fajtor për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Për veprën e parë, u dënua me 6 muaj burgim, kurse për të dytën u dënua me 6 muaj burgim.

Ndaj tij, Gjykata shqiptoi dënim unik me 12 muaj burgim.

Dënimi ndaj dy të akuzuarve do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Kërkesë pasurore-juridike, gjykatësi tha se nuk ka. Ndërkaq, u urdhëruan të akuzuarit që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës dhe atë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.