Një 22-vjeçar me veturën me targa të huaja ka humbur kontrollin në Zveçan të martën, ku si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë është rrokullisur.
Policia njoftoi se vetaksidenti ka ndodhur në urën e hekurit, ku është bllokuar për një periudhë, derisa autoritetet më pas e kanë liruar për qarkullim.
Rasti ka ndodhur në orën 17:45 në rrugën “Kral Petri”, derisa ekipet policore u tha se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë kryer ekzaminimet e duhura.
“Sipas hetimeve të para, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë dhe mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, Z.V., 22 vjeç, ka humbur kontrollin mbi automjetin me targa te huaja dhe është rrokullisur. Fatmirësisht, nga ky aksident nuk është raportuar për persona të lënduar. Lidhur me rastin, ura ka qenë e bllokuar për një periudhë kohore, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Pas ndërhyrjes së autoriteteve përkatëse, ura është liruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet policore iu kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit.
“Çdo pakujdesi në vozitje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim.