Kronikë

17-vjeçari gjendet i vdekur pasi u raportua i zhdukur - ishte vetaksidentuar

shiriti i policisë

Foto-Ilustrim: KOHA

Një 17-vjeçar është gjetur pa shenja jete të martën në rrugën Landovicë-Gjonaj pasi dyshohet se është vetaksidentuar me motoçikletë. Ai ishte raportuar i zhdukur sot, 14 tetor.

Sipas Policisë, disa qytetarë që po punonin në ara e kishin vërejtur viktimën të shtrirë pranë një muri ku po ndërtohej një shtëpi.

“Sot më datë 14 tetor 2025, rreth orës 16:00, policia është njoftuar se në rrugën Landovicë–Gjonaj, disa qytetarë që po punonin në ara kanë vërejtur një person të shtrirë nën rrugë, rreth 7–8 metra larg saj, pranë një muri ku po ndërtohej një shtëpi. Sipas raportimeve fillestare të qytetarëve, personi nuk shfaqte shenja jete”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas Bytyqit, viktima kishte dalë dje nga shtëpia dhe që nga mbrëmë nuk ishte lajmëruar në telefon. 

“Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë filluar hetimet fillestare. Nga veprimet hetimore është konstatuar se viktima është i mituri V.N. (i lindur më 15.08.2008), nga lagjja Arbane e Prizrenit, i cili që nga mbrëmë nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte lajmëruar në telefon, ndërsa sot është raportuar si i zhdukur”, tha zëdhënësi.

Bytyqi për Betimi për Drejtësi tha tutje se dyshohet se viktima derisa ishte duke drejtuar motoçikletën kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur me murin e një shtëpie.

“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se viktima, derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë, nuk i është përshtatur kushteve dhe rrethanave të rrugës, ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është përplasur në murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore që kanë rezultuar me vdekje në vendin e ngjarjes”, shtoi ai.