Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjilan kanë njoftuar se janë arrestuar 15 persona që dyshohen për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Sipas Prokurorisë ata dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe ne marrëveshje paraprake ne mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.
“Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë të arrestuarit janë B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M..
Të gjithë të arrestuarit me vendim të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, Prokuroria pas ndalimit të të dyshuarve thuhet se do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.