Kronikë

Keqpërdorën kartelat bankare të të tjerëve, arrestohen tre persona

Arrestim - policia

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona gjatë operacionit nën dyshimet për përfshirje të disa personave të dyshuar në kryerje të veprave penale si “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.

Operacioni policor ndodhi të enjten në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko), si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.

Policia ka sekuestruar dy kompjuterë; një llaptop; dy telefona mobil; tri USB; një HDD. 

“Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kësisoj me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë”, njoftoi PK.

Nga hetimet e mëtejme, më 1 gusht Policia arrestoi edhe të dyshuarin e tretë, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të personave të tjerë dhe i cili po ashtu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.