Kronikë

Një i vdekur nga gjuajtja me armë zjarri në magjistralen Ferizaj-Kaçanik

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri, të martën në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka thënë se rasti ka ndodhur te vendi i quajtur “Fusha e Pajtimit”.

“Ju njoftojmë se sot në ora 14:00 kemi marr një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj - Kaçanik tek vendi i quajtura "Fusha Pajtimit", përballë varrezave të dëshmorëve, dy persona të moshës madhore kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Nga informatat e para njëri për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga ekipet mjekësore, ndërsa tjetri është transportuar për ndihmë mjekësore në Ferizaj e me pas është transportuar për në QKUK për trajtim të mëtutjeshme mjekësor”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, ekipet e policisë po e hetojnë rastin, derisa nuk ka dhënë detaje se si ka ardhur deri te gjuajtja me armë zjarri.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se motivet për këtë ngjarje ende s’dihen. Të dyshuarit janë në arrati.