Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kandidatët e mundshëm për president të SHBA-së nisin lëvizjet, mes tyre edhe demokratja latine

Kandidatet

Gara presidenciale e vitit 2028, e cila për një kohë të gjatë është dukur si një hipotezë e largët mes trazirave të forta të fillimit të mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump, papritur ka marrë jetë.

Kandidatët e mundshëm republikanë dhe demokratë po shfaqen në fushatat për zgjedhjet e mesmandatit në shtete që, rastësisht, zhvillojnë zgjedhje të hershme presidenciale, raporton CNN.

Ndjesia se ora po ecën bëri që edhe Trump të përfshihej, ndonëse ai nuk dëshiron të pranojë se pushteti i tij ka një afat. Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, ai u kujtoi kundërshtarëve të tij në Teheran: “Do të jem këtu edhe për dy vjet e gjysmë.”

Është normale që kandidatët e mundshëm presidencialë të bëhen më të dukshëm në këtë periudhë. Zgjedhjet e mesmandatit u japin atyre një justifikim për t’u angazhuar me votuesit e bazës së tyre. Ata mund të provojnë fraza të reja në fushatë, të matin klimën politike, të krijojnë struktura joformale në shtetet e hershme dhe të krijojnë borxhe politike ndaj kandidatëve që ata mbështesin.

Por fushata e vitit 2028 papritur duket më reale, ndoshta sepse gjendja e brishtë politike e Trumpit po krijon ndjesinë e fundit të një epoke dhe demokratët më në fund kanë ndaluar së vajtuari humbjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Kjo humbje ishte ende e freskët në mendjet e njerëzve të martën, kur ish-zëvendëspresidentja Kamala Harris, kandidatja e demokratëve e zgjedhur në minutën e fundit, u shfaq në Michigan për të tentuar të bashkojë demokratët pas kandidatit për Senat, Abdul El-Sayed.

Ajo nuk është e vetmja demokrate e mundshme për vitin 2028 që po bën lëvizje. Përfaqësuesja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, po ndërton një lëvizje të fuqishme progresiste. Senatori i Georgias, Jon Ossoff, ende nuk ka fituar rizgjedhjen e tij, por tashmë po qarkullojnë spekulime për vitin 2028. Edhe guvernatorët JB Pritzker, Andy Beshear dhe Josh Shapiro po bëjnë lëvizjet e tyre politike.

Çfarë i duhet secilës parti në vitin 2028?

Zgjedhjet e vitit 2028, me dy kandidatura të hapura për president nga të dyja partitë kryesore, do të shënojnë fillimin e një epoke të re politike.

Kandidati përfundimtar republikan do të duhet të vendosë nëse ka një të ardhme për MAGA-n apo nëse duhet të rikthehen rrënjët tradicionale konservatore të partisë.

Demokratëve u duhet dikush që të bashkojë progresistët dhe të moderuarit. Një platformë kundër Trumpit mund të funksionojë në zgjedhjet e mesmandatit. Por sondazhet tregojnë se elektorati vazhdon të jetë i pakënaqur me një parti që humbi besimin e tij gjatë presidencës së Joe Bidenit.

Mulliri i thashethemeve për Shtëpinë e Bardhë mori më shumë shpejtësi të martën me një intervistë interesante të New York Times me Ocasio-Cortez. Demokratja nga Nju Jorku, përmes udhëtimeve të saj gjatë fushatës së mesmandatit, po pozicionohet si trashëgimtare e lëvizjes progresiste të Bernie Sanders.

Ajo është e aftë të krijojë momente të bujshme që bëhen virale dhe përcaktojnë politikën e epokës së Trumpit, siç ishte njoftimi i saj në gusht se po ngrinte vezët.

Ocasio-Cortez, e cila së shpejti do të mbushë 37 vjeç, i tha Times se po përballet me pyetjen e vështirë që mund të përcaktojë një fushatë presidenciale.

“Ka një argument që disa bëjnë se kjo është një dritare politike shumë e veçantë dhe se, shpeshherë në politikë, ke vetëm një mundësi,” tha ajo.

Por, duke qenë se dy nga tre kandidatët e fundit demokratë për president kanë qenë gra dhe të dyja kanë humbur, Ocasio-Cortez dukej se po vinte në pikëpyetje edhe kufirin e saj politik.

“Unë rastësisht jam grua dhe, e dini, rastësisht jam latine. Dhe mendoj se ka shumë diskutime rreth mundësisë për të fituar,” tha ajo.

Harris mishëron pikërisht këto pyetje. Ajo bëri paraqitjen e saj të parë të vjeshtës në një nga shtatë shtetet vendimtare që i humbi Trumpit në vitin 2024. Ajo ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë përsëri.

Por demokratë të tjerë po përgatiten, përfshirë disa guvernatorë.

Shapiro, i cili duket se po shkon drejt rizgjedhjes në Pensilvani, javën e kaluar foli për një çështje me rëndësi kombëtare — nëse duhet të vendosen kufizime për inteligjencën artificiale — dhe dënoi deklaratën e Trumpit se shqetësimet për potencialin shkatërrues të teknologjisë janë një “mashtrim”.

Beshear të martën publikoi një libër të ri, “Go and Do Likewise: How We Heal a Broken Country” — një taktikë klasike e liderëve nga zonat e brendshme të vendit që duan të ndërtojnë një profil kombëtar.

“Duhet të shfaqemi në vende ku nuk kemi qenë për shumë kohë. Duhet të shkojmë në komunitetet e minatorëve të qymyrit, në komunitetet bujqësore dhe të dëgjojmë nevojat e njerëzve,” i tha guvernatori i Kentakit gazetares së CNN, Kaitlan Collins.

Kur u pyet nëse do të kandidonte në vitin 2028, ai këmbënguli: “Nuk kam marrë asnjë vendim për këtë.”

Pritzker, nga Illinois, u ka treguar votuesve demokratë se mund t’i kundërvihet Trumpit. Por ai është në lajme edhe për një arsye më personale, pasi zbuloi se ka humbur 80 paund me ndihmën e ilaçeve GLP-1. Ai i tha CBS Neës se është i përqendruar te fushata e tij për rizgjedhje dhe se “nuk ka marrë asnjë vendim për atë që mund të bëjë në të ardhmen”.

Një tjetër kundërshtar i Trumpit, senatori i Arizonës, Mark Kelly, tha në Festivalin Atlantic javën e kaluar, kur u pyet për një kandidim të mundshëm presidencial: “Përgjigjja është se mundem, thjesht nuk kam vendosur ende.”

Ndërkohë Trumpi duket se kënaqet duke bërë shaka për pasardhësit e mundshëm si Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Por loja do të jetë më pak argëtuese kur ai të bëhet një president që nuk mund të kandidojë më për një mandat tjetër.

Zëvendëspresidenti JD Vance shihet gjerësisht si një kandidat i mundshëm kryesor republikan dhe nuk ka pasur asnjë shenjë nga Rubio se ai planifikon të kandidojë.

Emri i presidentit të ardhshëm mund të mos jetë aktualisht çështja më e rëndësishme — për momentin, zgjedhjet e mesmandatit dhe lufta në Iran kanë më shumë peshë.

Por kur Amerika të zgjohet më 4 nëntor, pas një nate të gjatë duke parë John King të shpallë rezultatet e zgjedhjeve për Kongresin në “Magic Wall” të CNN-it, zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të kenë filluar vërtet.

Dhe të dyja partitë do të fillojnë gjithnjë e më shumë të shikojnë drejt një të ardhmeje përtej Trumpit.