Arbëri

Minimumi 10 milionë euro dëme nga vërshimet në Skenderaj

Descriptive Text

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, deklaroi se minimumi 10 milionë euro dëme janë shkaktuar në këtë komunë nga vërshimet e ditëve të fundit.

Ai deklaroi të dielën në Euroneës se gjendja aktualisht është stabilizuar, por dëmet janë shumë të mëdha. Sipas Nurës, 10 fshatra janë goditur nga vërshimet, përfshirë edhe qytetin.

Reshjet s’ka për momentin, dje dhe sot kanë ndaluar fatmirësisht. Gjendja është stabilizuar, por dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe jemi duke u marrë me sanimin e tyre. Kryesisht ka 10 fshatra që janë goditur, përfshirë edhe qyteti, është dëmtuar infrastruktura publike. 11 ura të shkatërruara, rrugë, ekonomi familjare, biznese, ekonomi bujqësore, minimumi 10 milionë euro dëme në total”, deklaroi ai.

Kreu i Skenderajt theksoi se ka marrë përkrahje nga Shqipëria nëpërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj. Ai kërkoi ndihmë nga Qeveria për kompensimin e dëmeve dhe tejkalimin e kësaj situate.

“Pres ndihmën edhe të bashkatdhetarëve që të mbledhim fonde shtesë, t’i sanojmë këto dëme në afat sa më të shkurtër. Hapja e fondit do të jetë mundësi shtesë që sa më shpejt të riparohet e tërë katrahura. Përgjegjësia kryesore është te Qeveria. Marrë parasysh se demet janë kolosale, kemi hapur edhe një fond. Presim që të jetë në funksion të kësaj”, deklaroi Nura, duke shtuar se ka takuar edhe zyrtarë të fondeve të tjera, nga të cilët tha se ka marrë përkrahje.

Vërshime të tilla, sipas Nurës, s’kanë ndodhur asnjëherë në Skenderaj, derisa tha se kapacitetet e komunës janë të kufizuara që ta përballojë e vetme.

“Sot fatmirësisht s’kemi pasur viktima, por dëmet planifikojmë t’i kompensojmë në një afat sa më të shpejtë. Vërshimi ka qenë i fuqishëm, sasia e ujit ka qenë e paparashikuar. Ka ekzistuar në atë ditë një solidaritet i qytetarëve, që secili ka strehuar nga një familje që është nxjerr nga vërshimi”.

Aktualisht në Skenderaj procesi i mësimit është i pezulluar pasi edhe disa shkolla janë dëmtuar.