Kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në komunën e Skenderajt.
Kjo si pasojë e vërshimeve që kanë ndodhur pas reshjeve të pandërprera të shiut. “Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë”, ka shkruar Nura në Facebook.
Ai ka thënë se ka formuar edhe Shtabin Emergjent, i cili sipas tij tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet.
“Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut. Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka shkruar Nura.
“Gjendja në Skenderaj ësht shumë e rëndë, shumë e rënduar është pjesa e qendrës. Një pjesë e Klinës, Llaushës, Klladërnicës, Turiqevci. Dëmet materiale janë shumë të mëdha, por ajo çfarë na intereson është që të mos kemi viktima”, ka deklaruar Amir Lushtaku nga Zyra për Komunikim me Publikun.