Arbëri

Në protestën e argjendarëve në Prizren kërkohet shtimi i masave të sigurisë

Me dhjetëra argjendarë të Prizrenit kanë mbajtur protestë të qetë të hënën pranë dyqanit të kolegut të tyre, i cili ishte plagosur bashkë me të birin, gjatë një rasti të tentim-grabitjes së armatosur.

Me këtë rast, ata kanë kërkuar shtimin e masave të sigurisë në rrugën “Adem Jashari”, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla.

Ismet Kasemi, i cili është plagosur në këmbë nga të dyshuarit, ngjarjen e një jave më parë e ka përshkruar si të rëndë dhe ka kërkuar më tepër siguri, në mënyrë që të kufizohet hapësira e veprimit për keqbërësit.

“Ishalla organet e drejtësisë pak ma tepër punojnë me i ndal. Edhe pse i kanë arrestuar, mirëpo një hap përpara me qenë me i ndalu, mos me ardhë puna me u plagos, bile edhe në rastin më të keq vdesin personat. Mos me ardhë puna te më e keqja”, ka thënë Kasemi.

Kërkesa për siguri është adresuar edhe nga kolegët e tij të tjerë argjendarë.

“Sot jemi mbledhur këtu për të kërkuar më tepër siguri në rrugën ‘Adem Jashari’, që do ta ndihmonte neve për zgjatjen e orarit të punës dhe do të mbrohet edhe qytetari”, ka pohuar Isa Ahmeti, argjendar.

“Rruga as nuk ka ndriçim, as nuk ka sinjalizim, as nuk ka kamera, d.m.th kërcënimi është permanent. Rreziku është permanent”, ka shtuar argjendari tjetër Pjetër Gruda.

Ditë më parë, drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Faton Alija, ka deklaruar se pas rastit të tentim-grabitjes janë zhvilluar takime me argjendarët, ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim.

“Ne i sigurojmë ata dhe qytetarët se Policia do të jetë në ofrim të sigurisë për ta dhe të tjerët që në qytetin e Prizrenit të zhvillohet jeta, lëvizja, e qetë e sigurt për të gjithë ashtu siç njihet Prizreni deri më tani”, ka thënë Alija.

Lidhur me tentim-grabitjen e javës së shkuar Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar.