Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Rrahje masive në Prizren, një i plagosur e nëntë të arrestuar

rrahje

Ilustrim

Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit, në një përleshje masive midis dy grupeve të ndodhur në orët e para të së dielës në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë, Shaqir Bytyqi, ka thënë për KOHËN se rasti ka ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha”, ndërsa në rrahje janë përfshirë 15 persona.

Sipas tij, në këtë përleshje janë përdorur mjete të mprehta, boksa metali dhe arma e zjarrit.

Nëntë nga të përfshirët janë ndaluar për 48 orë.

“Rreth orës 01:16, në rrugën ‘Ekrem Rexha’ ka ndodhur një rrahje në mes të dy grupeve, 15 persona janë përfshirë në rrahje. Në rrahje janë përdorur mjetet e mprehta, boksa metali dhe arma e zjarrit. Disa persona kanë marrë lëndime, njëri nga ta ka marrë lëndime nga arma e zjarrit. Një armë zjarri dhe mjetet tjera të përdorura në rast janë sekuestruar. Rasti është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’. Nëntë të dyshuar janë ndalur në ndalim policor për 48 orë”, ka thënë ai.