Pronari i një argjendarie që operon në rrugën “Adem Jashari” në Prizren dhe djali i tij janë plagosur gjatë tentim grabitjes së biznesit të tyre nga disa persona të armatosur. Policia është vënë në ndjekje të dyshuarve, dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e tyre. Sipas zëdhënësit të Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi rasti ka ndodhur rreth orës 17, dhe se tashmë në vendin e ngjarjes janë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe njësitet relevante që po merren me hetimet.
“Rreth orës 17, në rrugën “Adem Jashari” ka ndodhur një tentim grabitje. Në këtë rast 3 persona të armatosur kanë plagosur pronarin dhe djalin e tij. Pas kryerjes së këtij akti janë larguar me një automjet në drejtim të Suharekës. Njësitet policore janë në kërkim të personave të dyshimtë dhe i bëjmë apel qytetarëve që në këtë rast të ndihmojnë policinë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve”, ka thënë Gashi, në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, të plagosurit nuk janë në rrezik për jetë.
“Gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë sipas raportit të mjekut”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se ekziston dyshimi që një automjet i grabitësve është aksidentuar dhe djegur, dhe se të njëjtit kanë ndërruar automjet gjatë ikjes në drejtim të Suharekës, derisa me armë zjarri kanë gjuajtur edhe në drejtim të zyrtarëve policorë.
“Policia është në ndjekje, ka pas edhe të shtëna në drejtim të njësive policore, mirëpo fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë pasojë”, ka bërë të ditur zëdhënësi Gashi.