Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohen 3 të dyshuar për plagosjen e dy personave gjatë tentim-grabitjes në Prizren

Janë arrestuar tre persona të dyshuar për rastin e tentim-grabitjes së një argjendarie në Prizren të hënën.

Në një konferencë për media kryeprokurori Admir Shala dhe Faton Alija, drejtor i Policisë për Rajonin e Prizrenit, ka njoftuar për rastin dhe arrestimin e tre të dyshuarve që janë me precedentë penal e janë nga Prishtina.

“Gjatë sigurimit të provave kemi arritur të bëjmë identifikimin e disa të dyshuarve, për momentin janë arrestuar tre të dyshuar. Dy janë arrestuar gjatë një bastisje me urdhër të gjykatës në Prishtinë sot dhe njëri nga të dyshuarit është arrestuar mbrëmë. Prokuroria e Prizrenit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, mbetet në gjykatë të shihet se çfarë vendoset”, ka thënë Alija.

Ai ka treguar se dy të lënduarit, pronari i argjendarisë dhe i biri i tij janë jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa të dyshuarit është thënë se kanë qenë të armatosur me armë të gjatë dhe pos që kanë plagosur dy viktima në argjendari kanë shkëmbyer zjarr edhe me një njësit policor në Suharekë.

Të dyshuarit fillimisht kanë lënë veturën e tyre, pas dështimit që të grabisin argjendarinë, e kanë ndaluar një veturë në rrugë dhe e kanë grabitur me të cilën kanë shkuar në drejtim të Suharekës e më pas në autostradë. Më pas kanë marrë benzinë dhe kanë djegur veturën me të cilën është kryer krimi.

Edhe Aktakuzë ndaj katër personave për rastin e tentim grabitjes së një argjendarie në Prizren Kronikë Aktakuzë ndaj katër personave për rastin e tentim grabitjes së një argjendarie në Prizren

“Incident ka pasur në 5 vende të ndryshme të ngjarjes, ku Policia është dashur të fokusohet. E gjithë ngjarja ka zgjatur 13-15 minuta. Prej asaj kohe automjeti ka dal nga Prizreni. Ka pasur shkëmbim zjarri, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga radhët e Policisë, si dhe qytetarët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë. Vetura ndonëse është djegur, përmes laboratorit kemi arritur ta identifikojmë numrin e shasisë, provë kryesore që na ka orientuar në zbulimin e arrestimin e personave të dyshimtë që i potencojë kryeprokurori. Policia i siguron gjithë qytetarët se është në shërbim të tyre. Nga 1 janari në Prizren kanë ndodhur 10 grabitje, prej tyre shtatë janë zbuluar, pra 70 për qind e rasteve. Tre të dyshuarit e ndaluar deri tash janë nga rajoni i Prishtinës. Në bazë të verifikimit kanë të kaluar kriminale. Kanë të kaluar kriminale edhe në rastet për të cilat akuzohen e janë të ndaluar, si grabitje, përdorim i armëve të gjata. Kanë qenë në burg dhe janë me precendent kriminal. Dyshohet, në bazë të videove që kanë qarkulluar, se ishin të armatosur me armë AK-47, por edhe bazuar në gëzhojat përputhen me këto armë”, ka thënë Alija.