Arbëri

Biznesmenë e zejtarë dënojnë sulmin e armatosur në argjendari, kërkojnë shtimin e masave të sigurisë

Shoqata e biznesmenëve dhe zejtarëve “Esnaf” në Prizren, ka dënuar sulmin e armatosur ndaj pronarit të argjendarisë dhe djalit të tij, që ka rezultuar me plagosjen e tyre të hënën mbrëma. Sipas tyre ky akt ka shqetësuar edhe bizneset tjera që operojnë në njërën prej zonave qendrore të afarizmit në qytetin e vjetër.

“Shoqata ESNAF dënon ashpër sulmin e armatosur që ka ndodhur dje ndaj anëtarit tonë dhe djalit të tij që operojnë në sektorin e argjendarisë, në rrugën ‘Adem Jashari’ gjatë orarit të punës. Fakti që sulmi ka ndodhur në rrugën ‘Adem Jashari’, e cila shfaqet si qendër e Prizrenit dhe një nga zonat me përqendrim më të madh të argjendarisë, shqetëson edhe bizneset tjera”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Në të njëjtën kohë është kërkuar shtimi i masave të sigurisë, duke përkujtuar se bëhet fjalë për një kërkesë të kahershme.

“Siç e kemi thënë prej vitesh në çdo platformë, dëshirojmë të theksojmë sërish se siguria e rrugëve duhet të rritet dhe bizneset të kenë mundësi të bëjnë biznes në një mjedis të sigurt. Ndërsa kërkojmë nga autoritetet që të ndërmarrin hapa urgjente dhe vendimtare në këtë drejtim përpara se të ndeshemi në situata më shqetësuese”, vijon reagimi, që përmbyllet me urimin për shërimin e shpejtë të dy të plagosurve.

Policia e Kosovës ka raportuar se të hënën rreth orës 17, “tre persona të panjohur të maskuar dhe të armatosur kanë tentuar të kryejnë grabitje në një argjendari”.

“Të dyshuarit kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, pronarit të lokalit dhe djalit të tij, të cilët si pasojë e të shtënave nga arma janë plagosur. Të dyshuarit nuk kishin arritur ta kryenin grabitjen dhe më pas me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimat janë dërguar në Spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas këtij njoftimi, njësitë relevante të Policisë dhe Prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se në lidhje me rastin “janë duke u zhvilluar hetime intensive nga të gjitha njësitë relevante”.