Avni Gashi nga fshati Dobërdol i Podujevës nuk ka arritur t’i shesë të enjten të gjithë kurbanet që i kishte sjellë në hapësirën e ish-tregut të kafshëve në Prishtinë. Vendimi i Qeverisë me masat e reja ka bërë që shitja e kurbaneve të mos lejohet në vende publike. Inspektorët sanitarë, me ndihmë të Policisë kishin ndërmarrë aksion të enjten për t’i larguar këta shitës.
Në anën tjetër, zyrtarët e Agjencisë së ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se nuk është ndaluar shitja dhe therja e kurbaneve. Por, sipas tyre, shitja duhet të bëhet vetëm në fermë, kurse therja në thertoret e licencuara.
Zyrtari për informim, Lamir Thaçi thotë se kjo është bërë me qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve dhe të ruhet mjedisi, raporton KOHA.
“Ne si autoriteti më i lartë në Republikën e Kosovës, si autoritet të cilin e rregullon tregtimin, therjen e kafshëve dhe ruajtjen e shëndetin publik, ne të martën e kemi lëshuar një njoftim, në të cilin kemi lejuar tregtimin e kafshëve dhe lejohet therja e tyre, por kjo duhet të bëhet sipas rregullave të cilat janë të përcaktuara me ligjet e aplikueshme në Kosovë. Dhe në të njëjtën kohë, duke e respektuar vendimet e qeverisë mbi masat për luftimin e sëmundjes COVID”, ka thënë zëdhënës për informim në AUVK, Lamir Thaçi.
Sipas tij, gjatë këtyre aksioneve nëpër Kosovë, në Komunën e Pejës janë evidentuar të gjitha rastet dhe pas vlerësimit nga ana e Inspektoratit për të gjitha ato që ka bazë ligjore do të iniciohen fletëparaqitjet në Gjykatë. Ndërsa, për pjesët e tjera të vendit, ka thënë se nuk ka pasur nevojë për masa, pasi shitësit janë larguar në momentin që janë urdhëruar.
Edhe
Aksion në pazarin e kerreve, 15 gjoba për shitësit e pulave dhe kafshëve
Megjithatë, Besim Marolli, që kishte ardhur nga Gjermania për Festën e Bajramit, nuk është kthyer pa i blerë kurbanet në ish-tregun e Prishtinës. Ai tha se bashkë me familje do të festojë sikur herëve të tjera.
Ndërkohë, zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se inspektorët do të monitorojnë ditë e natë respektimin e masave kundër COVID-19.