Arbëri

Inspektorati i Ferizajt inspekton marketet, farmacitë dhe furrat e bukës

Inspektorati i komunës së Ferizajt gjatë këtyre ditëve po vazhdojnë t’i inspektojnë të gjitha bizneset si furra të bukës, markete dhe barnatore me qëllim që pronarët e tyre të vendosin rregull dhe rend për ta ruajtur distancën ndaj konsumatorëve.

Po ashtu inspektorati po i kontrollon këto biznese për të parë nëse punonjësit e tyre i kanë marrë masat mbrojtëse si përdorimi i dorëzave dhe maskave gjatë orarit të punës me qëllim të parandalimit të virusit Covid-19. Në kuadër të kësaj inspektorati po i përcjellë edhe çmimet e produkteve të ndryshme. Në këtë aksion janë duke punuar dy ekipe të inspektoratit të komunës, ndërkohë deri tash nuk është shqiptuar asnjë gjobë ndaj bizneseve për mosrespektim të kritereve.

Ridvan Berisha, koordinator i inspektoratit në komunën e Ferizajt, ka thënë për Kohën se inspektorët vazhdimisht po qëndrojnë në terren për ta monitoruar situatën aktuale. Sipas tij, të gjitha bizneset po i respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet e nivelit qendror.

“Kemi aktualisht dy ekipe të inspektorëve në terren, andaj roli i tyre këto ditë është më së shumti për t’i këshilluar përfaqësuesit dhe punonjësit e marketeve për të vendosur rend dhe rregull në mënyrë që konsumatorët ta mbajnë distancën. Njëkohësisht jemi duke i shikuar punonjësit se a po i respektojnë rregullat dhe a kanë vendosur masa mbrojtëse për parandalimin e virusit. Deri tashti nuk kemi pasur nevojë të shqiptojmë ndonjë gjobë për këtë çështje sepse të gjithë po i respektojnë rekomandimet dhe udhëzimet e ministrisë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, inspektorati i komunës me kohë ka mbyllur edhe 17 motele në rrugën regjionale Ferizaj-Prishtinë me qëllim të parandalimit të virusit Covid-19.