Inspektorët Komunal të Ferizajt gjatë së enjtes kanë qëndruar në terren për t’i kontrolluar bizneset ushqimore dhe barnatoret të cilat në disa raste kanë rritur çmimet e produkteve, duke e shfrytëzuar panikun e përhapjes së virusit COVID-9.
Ky inspektim ka rezultuar me inicimin e disa fletëparaqitjeve ndaj bizneseve të cilat kanë rritur çmimet.
Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës së Ferizajt ka thënë se ka urdhëruar inspektorët t’i kontrollojnë të gjitha pikat e mëdha të bizneseve ushqimore dhe barnatoreve brenda qytetit.
“Sipas denoncimeve të qytetarëve që furnizohen me produkte ushqimore dhe me medikamente, inspektorët i kemi obliguar për t’i evidentuar rritjet e çmimeve”, ka thënë Berisha, raporton KOHA.
Sipas tij, me këtë aksion do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim.
“Inspektorati i Ferizajt, apelon tek qytetarët që të mos shkaktohet panik, njëkohshëm të denoncojnë rastet kur hasin në mashtrime me çmime e rritjen e tyre në numrat e paraqitur përmes faqes së Komunës”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, Maliq Muharremi- koordinator i zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ka thënë se në mesin e dhjetëra bizneseve që ushtrojnë veprimtari afariste, ushqimore kanë hasur në disa raste të rritjes së çmimeve.
“Si raste të tillë sipas kompetencave janë ndërmarr veprimet e nevojshme konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë ai.