Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Histori nga historia

Kujdes! Kjo është një kolumne jopolitike. Rrjedhimisht ajo është ngrohtësisht e këshillueshme të lexohet sidomos në ditët e para të pranverës. Në rolet kryesore: Nazim Hikmet, Mark Twain, Dua Lipa, Rainer Maria Rilke dhe të tjerë.

1. Poeti dhe deti

Më 17 qershor 1951 një motoskaf i vogël çau detin nga një plazh i Stambollit, pastaj gazeta “Hürriyet” njoftoi lexuesit dhe lexueset se ambasadori bullgar e kishte kidnapuar Nazim Hikmetin. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ishte Luftë e Ftohtë. Nazim Hikmeti, poeti i madh turk, ia ktheu shpinën atdheut, ngaqë s’kishte shtegdalje tjetër. 

Ai e revolucionarizoi lirikën turke duke e shkëputur nga tradita e divanit. Në poezitë e tij kërkoi më shumë liri - për vete dhe për bashkëkombësit e tij. Kjo s’u pëlqente pushtetarëve të asaj kohe. Hikmeti i kaloi 16 vjet në burgjet turke. Kur doli nga qelia, mori një letërthirrje për të kryer shërbimin ushtarak. Frikësohej se nuk do të kthehej i gjallë nga bota e zymtë e kazermave.

Në detin e hapur Hikmeti u ngjit nga motoskafi, të cilin e drejtonte dhëndri i tij, në një anije pasagjerësh. Dhe shkoi në Moskë. Aty vdiq më 1963. Më 2002, në 100-vjetorin e lindjes, jo vetëm në Turqi u shënua jeta e vepra e poetit të madh. Madje edhe UNESCO e shpalli atë vit - vit të Nazim Hikmetit, i cili u lind më 1902 në një paralagje të Prishtinës: në Selanik. (Që nga heqja e vizave për vendet e Schengenit, Selaniku mund të quhet paralagje e Prishtinës. Ose e kundërta).

Por më 2002 Turqia zyrtare nuk ishte e gatshme t’ia kthente shtetësinë birit të saj të famshëm. Në parlament dhe qeveri protestuan nacionalistët, kryeministri socialdemokrat Bylent Exhevit u dorëzua. “Të jetosh si një pemë, i vetmuar dhe i lirë, dhe vëllazërisht si një pyll, kjo është dëshira jonë”. Nuk ka turk që nuk e ka lexuar, shkruar apo recituar këtë varg të Nazim Hikmetit. Më 2009, më në fund, qeveria turke vendosi t’ia kthente shtetësinë ashikut të madh, këngëtarit të lirisë dhe dashurisë.

Edhe Një histori dashurie turke, me burg, poezi dhe një aventurë me avion Botë Një histori dashurie turke, me burg, poezi dhe një aventurë me avion

2. Bredhjet e një italiani

Sivjet është 300-vjetori i lindjes së Giacomo Casanovas. Karnavali i Venedikut, i cili u mbajt nga 14 shkurti deri më 4 mars, ia kushtoi një edicion të veçantë kësaj figure ikonike të qytetit, i bërë i famshëm me jetën e tij prej aventurieri. Një jetë që më 1760 e solli edhe në Zvicër, më saktë në qytetin e bukur të Solothurnit, në Manastirin e hijshëm në Einsiedeln dhe në Zürich. Në Solothurn ai fillon një lidhje me fisniken Ludovika von Roll. Bie terri, nis nata e dashurisë. Në mëngjes venedikasi Casanova konstaton me habi: në shtrat nuk ishte e bukura Ludovika, por kushërira e saj ziliqare.
Casanovas i bëhet e padrejtë kur personaliteti i tij reduktohet vetëm në bredhjet e tij amuroze nëpër Evropë: nga Venediku në Petërsburg të Rusisë, nga Parisi në Londër, nga Barcelona në Firence. Giacomo Casanova ishte edhe diplomat dhe violinist, konspiracionist dhe intrigant, shkrimtar e sekretar kardinali, i burgosur dhe emisar politik, i preferuar i salloneve dhe oficer parade. Në Paris madje organizoi një lotari mjaft të suksesshme. Ishte edhe jurist e bibliotekar, filozof e përkthyes, kimist dhe alkimist, kumarxhi dhe agjent, historian dhe mason.

Gjatë jetës së tij të bujshme ai takoi sundimtaren e Austrisë, Maria Terezën, Frederikun e Madh (të Prusisë), Madame de Pampadour, e cila ishte e dashura e Mbretit të Francës, Luigji i XV, papë e kardinalë, poetin italian Lorenzo da Ponte (të cilin hallet e jetës e shtynë të bëhet shitës i rakisë në Amerikë), filozofin Jean-Jacques Rousseau dhe mashtruesin sicilian Alessandro Cagliostro, i cili fascinonte gati mbarë Europën.

Mashtrues (simpatik) ishte edhe Casanova. Në Manastirin në Einsiedeln ai i tha një abati (i pari i murgjve) se donte të bëhej murg. Kur shkoi në Zürich, harroi premtimin që kishte dhënë në Einsiedeln, sepse u dashurua në një brune “me lëkurë si zambakë dhe faqe si trëndafila”.

3. “Trëndafil, o kundërshtim i pastër”

Sivjet shënohet 150-vjetori i lindjes së poetit të madh austriak Rainer Maria Rilke. Austriak? Më saktë: austrohungarez. Rilke u lind në Pragë, ashtu si Franz Kafka, një gjeni tjetër i letërsisë. Rilke mund të quhet pak edhe zviceran, sepse ai përjetësisht pushon në Raron, një katund në kantonin e Wallisit në Zvicër.

Edhe Kolumne Në Rrenc nuk shkon askush…

Në gurin e varrit të tij është i gdhendur ky shënim: “Trëndafil, o kundërshtim i pastër”. Lexues e kritikë letrarë me vite e dekada kanë spekuluar dhe fiqiruar se ku e ka burimin kjo porosi: “Trëndafil, o kundërshtim i pastër”. Ndërkohë (para disa vjetësh) është zbuluar sekreti. Në pullazin e Kalasë së Duinos në Italinë Veriore janë gjetur ditarët e mikeshës së Rilkes, princeshës Marie von Thurn dhe Taxis.

Aty ajo përshkruan debatet e ashpra me poetin, i cili në kalanë e saj shkruante “Elegjitë e Duinos”. Lartmadhërisë Marie von Thurn dhe Taxis nuk i pëlqente gjuha me lule në poezitë e Rilkes. “Vazhdimisht shfaqen lule në poezitë e tua”, i kishte thënë ajo Rilkes, „këtu një narcis, atje një kamelie dhe atje një trëndafil. Oh Rainer! Unë e kundërshtoj këtë!“ - Këtu e ka zanafillën shënimi në gurin e varrit të Rilkes: “Trëndafil, o kundërshtim i pastër”!

4. Skena shqiptare te “Cosi fan tutte” 

Më 27 janar 1756 në Salzburg të Austrisë së sotme u lind Wolfgang Amadeus Mozart. Talenti i tij i jashtëzakonshëm muzikor u shpërfaq shumë herët. Në moshën katërvjeçare filloi të luante në piano, në moshën pesëvjeçare shkroi pjesët e tij të para muzikore dhe pati paraqitjen e tij të parë publike, në moshën gjashtëvjeçare bashkë me familjen e tij vizitoi koncerte muzikore në qytete të ndryshme të hapësirës gjermane. Ai luante shumë mirë violinën dhe pianon. Që në moshën dymbëdhjetëvjeçare mori në Vjenë porosinë e parë për një operë. Vepra nuk u shfaq, por u vlerësua shumë. Suksesin e parë të madh si kompozitor Mozarti e arriti me operën “Idomeneo”, e cila u shfaq premierë në München në vitin 1781. Veprat e plota të Mozartit përfshijnë, sipas njohurive të sotme, rreth 1060 tituj. Opera e tij më e njohur duhet të jetë “Flauti magjik” (“Die Zauberflöte”). Te opera “Cosi fan tutte” e Mozartit ka një skenë “shqiptare”: dy miq, Ferrando dhe Guglielmo, nisen për në luftë. Së paku kështu u thonë të dashurave të tyre. Pastaj ata kthehen të veshur si shqiptarë. Qëllimi: të testojnë besnikërinë e motrave Dorabella dhe Fiordiligi.

5. Dua Lipa si lexuese dhe kritike e letërsisë

Përveç këngëtare me jehonë globale, Dua Lipa është edhe lexuese e pasionuar. Ajo e mban dhe e mirëmban klubin digjital të leximit “Service95”. Njëherë në muaj Dua Lipa përzgjedh një roman apo libër jofiksion dhe flet me autorin apo autoren. Në njërin nga edicionet e fundit Dua Lipa ka biseduar me nobelisten polake Olga Tokarczuk mbi romanin e saj “Kënga e lakuriqëve të natës” (përkthim i titullit nga edicioni në gjermanisht).

Edhe Kolumne Trëndafili i Rilkes

Tokarczuk shkruan vepra të vëllimshme, shpesh ato kalojnë 1000 faqe. Duhet durim, duhet përqendrim për t’ia lexuar librat. Duket se Dua Lipa e ka këtë durim. Në klubin e saj të librave kanë folur emra të njohur si George Saunders, Hernan Díaz dhe Patti Smith. Tani radha i erdhi Olga Tokarczukut, siç raportoi gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ). “Asnjë intervistë nuk është klikuar aq shumë sa ajo mes Lipës dhe Tokarczuk”, shkruante FAZ.

Në njërën anë ylli i popmuzikës, me 100 milionë ndjekës në rrjetet sociale, në anën tjetër një shkrimtare polake që lufton diskriminimin dhe shkatërrimin e natyrës. Dua Lipa thotë se është kënaqësi të lexosh romanin e Tokarczuk si një roman kriminalistik, “por ka edhe kaq shumë nivele të tjera: filozofi, shkencë, histori, gjeografi”. Entuziazmi i lexueseve dhe lexuesve është i garantuar. Këtë e tregojnë reagimet pas intervistës.