Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Në Rrenc nuk shkon askush…

Disa njerëz, ndonjëherë edhe politikanë, kanë qejf të udhëtojnë. Por pse?

Disa njerëz, mund të qëllojnë, krejt rastësisht, edhe politikanë, kanë qejf të udhëtojnë. Jo në Dragash apo Drenicë, jo në ndonjë fshat të humbur të Llapit. Nuk ka “Starbucks” apo ndonjë restorant italian (me kaviar, ravioli, Prosecco nga Trieste dhe verë të kuqe nga Sicilia) në Rrenc (kështu quhet një vendbanim në Dragash, nganjëherë shkronjës “c” i bashkëngjitet edhe një “ë”). Varësisht nga disponimi i autorit të tekstit.

Në një kronikë të një televizioni kosovar që në fillim shtrohet pyetja: a ka ndonjë lidhje fshati me banorët? Kjo qasje nuk tregon një respekt të madh për banorët e Rrencit. Një banor vendas tregon pastaj se, sipas gojëdhënave, fshati… Nuk ia vlen të citohen gojëdhëna.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Disa njerëz, mund të qëllojnë, krejt rastësisht, edhe politikanë, kanë qejf të udhëtojnë. Por s’duan të shkojnë në fshatin Revuq, jo larg Podujevës. (Ndoshta edhe shkojnë ose kalojnë andej në prag të zgjedhjeve, por pastaj jo më.) Fshatrat edhe ashtu po zbrazen, pse të shkojnë? Kanë mbetur aty ca pleq e plaka, të rinjtë i gjeni në kantiere të Vjenës ose në restorante të Venetos.

Edhe jeta publike po zhvendoset në diasporë. (Puritanëve nuk u pëlqen kjo fjalë, madje me teatralizëm thonë se kjo fjalë, me origjinë greke, domethënë “farë e humbur”, e kështu, argumentojnë ata, ne s’duam ta quajmë mërgatën tonë. Në të vërtetë, diasporë e ka kuptimin e shpërndarjes dhe kjo e rrok thelbin: kemi shqiptarë në Australi dhe në Austri, në Berlin dhe Bellinzona, në Pragë dhe Paris. Janë të shpërndarë gjithandej. OK, mund t’i quajmë këta njerëz pjesë të mërgatës, por a e ndryshon kjo gjendjen e tyre? Natyrisht që jo.) Ndjesë, ky paragraf u nis me një qëllim tjetër dhe me fjalinë: edhe jeta publike po zhvendoset në diasporë.

Ende pa hyrë mirë në zyrat e tyre, politikanët (sidomos këta të pushtetit) iu vërsulen diasporës, pardon mërgatës. Takime me studente. Takime me studentë. Takime me patriotë. Takime me patriote. Takime me aktivistë. Dhe aktiviste. Takime me anëtarët e shoqatës që herë i bien gozhdës, herë patkoit. 

Ftesat fluturojnë, s’kanë të ndalur. Gra e burra të diasporës, të etur për protagonizëm të kriposur me boshësi të lodhshme, nuk përtojnë të organizojnë takime. Me këngë e valle. Pastaj me valle e këngë. Mandej mbahen fjalimet. Ato të famshmet. Të cilat nuk kanë ndryshuar qe 30 vjet. Para 30 vjetësh edhe kanë pasur kuptim, atëherë edhe patetizmi ka qenë fisnik, sepse përdorej për një qëllim të lartë. Për çka përdoret sot? Përveçse për të postuar disa video dhe fotografi në rrjete (a)sociale.

Disa njerëz, mund të qëllojnë, krejt rastësisht, edhe politikanë, kanë qejf të udhëtojnë. Vizitat patriotiko-zyrtare shërbejnë edhe për zijarete dhe zijafete private e publike. Kështu kombinohen politika kosovare me kushërinjtë e mërguar. Me atë rrugë absolvohet edhe ndonjë vizitë në dyqanet që bartin emrin e një qyteti bregdetar kroat prej nga vjen arbëreshi Gjani Marshan, këngëtar e diplomat kroat (ka qenë konsull në Milano dhe ka kënduar edhe në gjermanisht - kërkojeni në YouTube këngën “Aber weine keine Tränen”). Kjo fjali e gjatë do të mund të shkurtohej kështu: disa njerëz, mund të qëllojnë, krejt rastësisht, edhe politikanë (dhe politikane), kanë qejf të udhëtojnë dhe të blejnë ndonjë gjë në dyqanet me emrin “Zara”.

Diaspora, pardon mërgata, është një hapësirë projektimi. Përdoret e keqpërdoret. Ka qejf edhe të përdoret dhe të keqpërdoret. Para zgjedhjeve të gjitha partitë i thurin lavde mërgatës - lavde që çdo vëzhguesi pak më joemocional i shkaktojnë siklet. Thua ti na qenkësh sakrificë më e madhe të jetosh në Zürich se në një fshat pa infrastrukturë në provincën kosovare. Pas zgjedhjeve në gramafonin e vjetër vendoset pllaka edhe më e vjetër. Kjo tashmë po ndodh. Tash diaspora është e keqe, sipas një politikani të ri me mendje jo bash të re. Pse? Sepse ka votuar vetëm për një parti rivale (nuk është e vërtetë). Në rast se afrohen zgjedhjet parlamentare, atëherë pllaka ndërrohet përsëri dhe fillon faza e vardisjes elektorale.

Disa njerëz, mund të qëllojnë, krejt rastësisht, edhe politikanë, kanë qejf të udhëtojnë. Disa, ndonëse udhëtojnë, nuk përfitojnë gjë nga udhëtimet.

Në fund të çdo teksti, secili gazetar - i talentuar apo fare pa talent - gjendet para pyetjes epokale: si t’i jepet fund një teksti? Nganjëherë duhet guxim për të thënë: nuk ka fund.