Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

I mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Pasi nisën bombardimet, Serbia filloi maltretimin ndaj nesh

Sadik Zeqiri, i mbijetuari i Masakrës së Burgut të Dubravës, ka rrëfyer tmerrin që përjetuan të burgosurit shqiptarë në burgun e Dubravës gjatë majit të vitit 1999, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe.

Zeqiri tregoi se fillimisht kishte qenë student dhe pjesë e lëvizjes studentore, ndërsa më pas iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës në fund të prillit 1998 – për çka edhe u arrestua.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kam shërbyer deri më 25 gusht e më pas rashë në dorën e policëve serbë. Ka pas shumë policë në momentin kur jam arrestuar, thu ti se po e arrestojnë ndokënd të fortë, a unë isha veç ushtar i thjeshtë”, rrëfeu ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, pas arrestimit fillimisht u mbajt në UDB-në e Gjakovës për tri ditë, më pas në Burgun e Pejës deri më 15 mars 1999, kur u transferua në Burgun e Dubravës.

Ai ka thënë se gjendja ndryshoi drastikisht pas 24 marsit 1999, kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë.

“Prej 24 marsit kur kanë filluar bombardimet, nuk di shtet në botë që rreh si qysh na kanë rreh neve Serbia, për çdo ditë”, deklaroi Zeqiri.

Sipas tij, të burgosurit përballeshin me mungesë ushqimi dhe dhunë të vazhdueshme, ndërsa pas thyerjes së dyerve të burgut, gardianëve serbë iu bashkuan edhe të burgosur serbë të armatosur.

“Malltretimi e vrasja ka vazhduar edhe nga ata”, shtoi ai.

Zeqiri përshkroi edhe momentin e masakrës gjatë 22 majit, kur të burgosurit shqiptarë u urdhëruan të rreshtoheshin në fushën sportive të burgut.

“Pa hy mirë në rreshtin e pestë, i kam parë njerëzit duke u rrëzuar. Nuk e dinim çka po ndodhte, kah po vinin plumbat. Pastaj kemi filluar me ik”, kujtoi ai.

Sipas tij, vetëm në fushën e sportit u vranë rreth 70 persona, ndërsa ai vetë mbeti i plagosur.

“Kemi qenë 960 të burgosur shqiptarë. Në çdo vend ka pasur të vrarë”, ka thënë Zeqiri.

Masakra e Burgut të Dubravës konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ndodhi nga 19 deri më 24 maj 1999, kur 116 të burgosur shqiptarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga forcat serbe.