Para 26 vjetësh në Burgun e Dubravës u krye njëra prej masakrave më të mëdha në Kosovë ndaj shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Kjo është tema qendrore e filmit dokumentar “Nën hijet e luftës” që sjell nuancat e errëta të asaj ngjarjeje bazuar në rrëfimet e të mbijetuarve. Harresa dhe mungesa e drejtësisë kanë qenë tema prapaskenë e Masakrës së Dubravës ku u vranë 160 të burgosur shqiptarë.
Në dokumentarin e punuar nga Eki Rrahmani, Gazmend Nela dhe “In My Country Post Productions” të shfaqur në “Reporting House” në Prishtinë, kjo ngjarje konsiderohet si një nga kapitujt më të errët të historisë së Kosovës. Ndonëse përherë kishte tortura, ajo kulmoi gjatë kohës së fushatës së bombardimeve të NATO-s. Dëshmitarët shprehen se ishte gjithçka e planifikuar dhe me skenar nga forcat serbe në mënyrë që menjëherë të thirret konferencë e menjëherë të shpërndahet lajmi se viktimat janë si pasojë e bombardimeve.
Nga nevojat bazike për jetesë, si ushqimi, e deri në rrahjet deri në alivanosje, ishin tortura fizike e psikologjike që ushtroheshin. Ata intervistoheshin dhe rriheshin në prani të të burgosurve. Tortura ka shpërthyer në vitet 1998 e 1999 kur mori hov lufta, si shenjë hakmarrjeje e Serbisë.
Në dokumentar rrëfehet se si më 19 maj të vitit 1999 rojat e gardianët e burgut kishin ikur nga objekti, ndërsa të burgosurit kishin mbetur në mëshirë të fatit. Kanë arritur të gjejnë mënyra për të ikur duke iu shpëtuar bombardimeve, por kanë hasur në gardianët serbë e janë kthyer në oborrin e burgut ku u është lëshuar breshëria e arsenalit.
Të mbijetuarit u ftuan për t’u dorëzuar, e sërish disa prej tyre u vranë. Turmës i ishin hedhur edhe bomba për ta bërë të besueshme teorinë e forcave serbe se të burgosurit u vranë nga sulmet ajrore.
Ish-i burgosuri në Burgun e Dubravës, Bislim Zogaj, ka thënë se ka mbajtur dëshmi se pjesa më e madhe janë vrarë nga forcat serbe.
“Sa i përket pjesës që ka pasur tentime për ta fajësuar NATO-n, me përgjegjësi të plotë e them se kam mundësi ta dëshmoj para çdokujt që numri i të vrarëve nga bombardimet e NATO-s ka qenë shumë i vogël. Kam mbajtur evidencë për 25 vjet, me dorë timen i kam shkruar, 22 veta kanë qenë. Të tjerët, që janë 117 të evidentuar janë vrarë prej tyre”, ka thënë Zogaj.
Në dokumentar rrëfehet se ndonëse Kosova u çlirua, të burgosurit u mbanë në burgje serbe edhe disa vite më pas.
“Të burgosurit e fundit janë liruar në vitin 2002, unë jam liruar në vitin 2001, por Naiti dhe të tjerët i kanë mbajtur edhe një vit, domethënë janë liruar diku në prill të 2002-s”, ka thënë Zogaj në diskutimin para publikut në fund të shfaqjes së dokumentarit.
Në filmin dokumentar, ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, konsideron se ka heshtje e mosinteresim të shoqërisë dhe institucioneve për zbardhjen e rastit të Masakrës në Burgun e Dubravës.
“Nganjëherë shtrojmë pyetjen se pse jemi gjallë, por nuk do të ishim gjallë sikur ta pësonim sikur ata shokë. Krejt rastësi është që kemi shpëtuar, por ne kemi obligime, detyra, që e drejta dhe e vërteta të triumfojë e drejtësia të arrijë. Drejtësi nuk ka qe 26 vjet dhe kjo është për keqardhje. U fol për intervista e për thirrje nga prokuroria, unë u them që jam thellësisht i zhgënjyer me qasjen që ka pasur prokuroria vendore e ajo ndërkombëtare ndaj kësaj masakre, këtij gjenocidi”, është shprehur ai.
E zhgënjimin me institucionet e drejtësisë në vend e ato ndërkombëtare e ka shprehur edhe në prani të publikut të shumtë që ka qenë i pranishëm për ta parë dokumentarin. Ka thënë se vetëm një herë është thirrur për të dëshmuar nga EULEX në vitin 2010, pasi ishte rekomanduar si dëshmitar aty nga një mik i tij.
“Të burgosurit kanë qenë të burgosur ordinerë, të burgosur politikë, të burgosur pa aktakuza, të marrë nga shtëpia, është akt gjenocial dhe kështu do të trajtohet. Prokuroria e ka rrugën çel, sepse dëshmitë tona flasin vetë, por tjetër është që ata nuk kanë dashur dhe nuk duan t’i qasen seriozisht trajtimit të kësaj ngjarjeje”, ka thënë ai.
E pranishme ka qenë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kurrë më shumë nuk ka pasur aktakuza të ngritura për krime lufte.
“Kemi ngritur kapacitetet në Prokurori Speciale për t’i trajtuar krimet e luftës dhe kurrë më herët nuk ka pasur më shumë aktakuza nga ana e Prokurorisë, ndonëse ju e dini qëndrimin tim në raport me, sidomos me Prokurorinë Speciale, por në raport me krimet e luftës po punojnë dhe po angazhohen në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu.
Prapë, siç ka thënë, është kryer pak në raport me krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.
“Tash është edhe gjykimi në mungesë, emrat e kriminelëve që përmenden në këtë dokumentar, por edhe në librin e zotëri Dugollit, besoj që tash është e mundshme të shfrytëzohet gjykimi në mungesë, edhe ky aspekt po zbatohet”, ka thënë Haxhiu.
“Dhunë shtazarake” konsiderohet ajo që qe kryer në këtë burg.
Protagonistët e dokumentarit janë Avni Klinaku, Enver Dugolli, Gent Nushi, Gembi Batusha, Nait Hasani, Sadik Zeqiri, Hil Kçiraj, Bislim Zogaj, Maki Begolli dhe Milaim Cekaj si rrëfimtarë të krejt ngjarjes. Aty flasin edhe gazetari Kreshnik Gashi, aktivistja e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq e ish-prokurori serb Vladimir Vukçeviq.
Ky i fundit thotë se qeveria serbe në përgjithësi, Ministria e Drejtësisë atëkohë, gardianët, janë fajtorë të gjithë. E aktivistja Kandiq, në dokumentar i vë faj edhe vetë ish-prokurorit për të cilin thotë se pati në dorë shumë raste, por asnjëherë nuk ngriti një aktakuzë.
Regjisori Eki Rrahmani, ka thënë se projekti është punuar në kuadër të angazhimit të tij në mediumin “Al-Jazzeera”.
“Për shkak të punës që e kemi bërë me kolegë të Al Jazzera” i kemi gjetur disa dokumente, ka edhe të tjera të cilat do të mund t’i fusnim në këtë film. Ky është një version i një filmi që e kemi bërë për ‘Al-Jazzera’. Ende shpresoj ta bëjmë filmin e vërtetë për Dubravën”, ka thënë ai.
Është shprehur se arsyeja kryesore që është punuar filmi dokumentar ka qenë indinjata ndaj heshtjes së institucioneve vendore e të huaja për këtë çështje.
“Ky është një krim që në Kosovë kanë ndodhur shumë krime, por ky ka qenë një krim, në Kosovë kanë ndodhur shumë krime, por ky është ai që më së lehti do të mund të zgjidhej. Është një hierarki prej viteve ’80 kur u ndërtua se kush ka qenë ministër i Drejtësisë, kush ka punuar aty, zotërinjtë që janë këtu i njohin me emër e mbiemër jo vetëm gardianët, por edhe ata që i kanë pastruar tualetet. Ka aso evidence fascionuese dhe nuk mund të bësh asgjë”, ka thënë Rrahmani.
Ka treguar se projekti do të niste vite më parë, por sipas tij nuk ka pasur përkrahje nga institucionet. Ka thënë se Qendra Kinematografike e Kosovës pati ndarë 20 mijë euro, ndërsa, sipas tij, mediumi “Al-Jazzeera” ka investuar shumëfish më shumë.
“Ia patëm nis këtij projekti para pesë e gjashtë vjetësh dhe e ka pasur titullin ‘Thyeje heshtjen’ mirëpo nuk patëm gjetur përkrahje institucionale, për fat të keq. Kemi pasur një buxhet shumë të vogël, një shumë simbolike dhe mandej atë shumë e kemi kthyer në QKK. Kemi bërë shumë mirë, kanë qenë një shumë qesharake prej 20 mijë eurosh, ndërsa ‘Al Jazzera’ ka investuar mbi njëqind mijë dollarë. Tash ne duhet ta shohim veten në sy e gjithë shoqëria jonë, se këtu bëhen çfarëdo gjërash, kanë ndodhur gjëra që ia kemi borxh”, ka thënë ai.
Për Gent Nushin ka qenë hera e parë që ka shpalosur rrëfimin e tij publikisht.
“Unë për vete nuk kam pasur rast të flas për këtë çështje. Nuk ka pasur ndonjë projekt serioz si ky të zhvillohet që ne t’i tregojmë ngjarjet tona. Ka qenë rastësi që pas një jave që e kryej intervistën më thërret edhe Prokuroria për krime lufte dhe më thonë se janë duke intervistuar gjithë ish-të burgosurit. Është bërë punë e mirë këtë periudhë”, ka thënë ai.
E ish-i burgosuri tjetër, Milaim Çekaj, ka thënë se disa ditë pasi ishte liruar nga burgu ishte marrë në pyetje nga prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar të Krimeve të ish-Jugosllavisë. Pati dëshmuar në rastin kundër Millosheviqit.
“I kisha kujtimet shumë të freskëta. Koha kur kalon shumë gjëra harrohen. Për rastin e Dubravës janë marrë në pyetje diku 110 të burgosur, unë jam vetë i treti që kemi qenë dëshmitarë në proces kundër Millosheviqit në vitin 2002, prej datës 22 deri më 29 gusht, seanca ka zgjatur dy ditë. Jam i hatruar, jo që ka vdekur, por që e ka lënë në gjysmë. Kanë qenë në aktakuzë 42 persona përgjegjës. Ne e kemi bërë pjesën tonë, dëshmia ime ka qenë diku 30-40 faqe, ka qenë bukur e detajuar”, ka thënë Çekaj.
Masakra në Burgun e Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj të vitit 1999 dhe aty u vranë 160 të burgosur shqiptarë, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.
Brenda burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të vrarëve në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.