Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke zhvilluar gërmime pasi një qytetar u ka treguar institucioneve për vendin ku e ka varrosur një trup pak ditë pas luftës. Në Burgun e Dubravës, ku ka ndodhur masakra, në të cilën u vranë mbi 100 burra shqiptarë, Prokuroria Speciale po e heton edhe zhdukjen e civilëve nga forcat serbe
Gërmime të reja kanë nisur të enjten brenda Burgut të Dubravës, ku forcat serbe kryen masakër 26 vjet më parë.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se gërmimi ka nisur pas hetimit të 88 të dyshuarve, teksa dy të akuzuarit, Momir Pantiq dhe Gavrillo Milosavleviq, tashmë janë duke u gjykuar.
Informata, sipas përfaqësuesve të institucioneve, është siguruar nga një dëshmitar, i cili e ka treguar vendin ku e ka varrosur një viktimë.
“Policia në punë operative ka identifikuar një dëshmitar që ka treguar për ngjarjen e një personi, i cili menjëherë pas luftës, disa ditë pas luftës e ka gjetur në pjesën e malit ... Dëshmitari na e tregoi vendin ku e ka gjetur dhe dëshmitari pa mbështetjen e askujt e ka vendosur dhe e ka varrosur, ku aktualisht janë ekipet duke punuar dhe duke gjurmuar”, ka thënë prokurori special, Ilir Morina.
E Florim Elshani, shef i Sektorit për të Zhdukurit në Polici, ka thënë se dëshmitari ishte në lokacion dhe e ka identifikuar se ku përafërsisht e ka varrosur trupin
“Por të mos harrojmë se është pas 26 vjetësh, dëshmitari është në moshë goxha të shtyrë dhe me probleme shëndetësore dhe kujtesa e tij mund të jetë pak e sfiduar, por një zonë shumë të ngushtë, një perimetër shumë të ngushtë e ka specifikuar dëshmitari”, ka thënë Elshani.
E Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka deklaruar se ky është lokacioni i 10-të ku po gërmohet këtë vit.
Gara ka thënë se një çështje tejet problematike është se Serbia nuk jep qasje për të bërë gërmime në territorin e saj.
“Sigurisht që sfidë shqetësuese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë, e cila, përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk është se ka ndonjë datë të caktuar për fillimin e gërmimeve të reja apo lokacioneve ku ne do të vazhdonim gërmimet e ndërprera nga ana e institucioneve të Serbisë”, ka thënë Gara.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, u ka bërë thirrje qytetarëve që krahas dhënies së deklaratave për krimet në të cilat kanë qenë dëshmitarë, të tregojnë edhe për batanijet, këpucët e rrobat që i shohin në ambient të hapur në rast se ato janë të kohës së luftës, meqë mund të jenë shenjë e mbetur nga personat e pagjetur.
Mbi 1.600 persona janë të pagjetur nga lufta e fundit.