Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Blerta

Mezi prisja ta shihja filmin “Dua” dhe të shkruaja një recension të ftohtë akull për të. Do lot të nxehtë valë ma prishën planin

Ditën që bleva biletën për të parë filmin “Dua”, dreqi më hëngër e më çoi të vizitoja shtëpinë-shkollë të Hërticëve në Vranjevc. Ndonjë gjeni shkuar gjeniut kishte vendosur të ndërhynte në objekt dhe mu aty ku unë ulesha si nxënës në pranverën e vitit 1992, ishte ndërtuar një shteg kalimi nga betoni, ndërsa ishin rrëzuar edhe muret e klasëve. Ishte krijuar një përfytyrim tjetër nga ai i vërteti. Dikush, njëri me asi koke si hudhër, më tha se e kishin funksionalizuar si muze. “Po“, i thashë, „funksionin e vetëm që kishte, atë për të kujtuar një kohë, ia kanë hequr. Tash duhet ta imagjinojmë“. Po kërkoja vendin ku ulesha si nxënës dhe më duhej ta imagjinoja, siç e imagjinoja shkollën më 1992, ulur në një skutë dhome në shkollën-shtëpi.

Aty në oborr ndonjëherë si nxënës të prapë e joseriozë shkonim te dritaret e përdhesës dhe i trokisnim në dritare ndonjë mësimdhënëseje pasionante që po shpjegonte gjithë zell për Migjenin: „A ka mundësi të mbani pak qetësi, se po na pengoni këtu jashtë?“ Nuk e di në ishte pjesë e drojës së kohës, apo kërkesa për qetësi më vete është disi magjike, por mësimdhënëset, pa përjashtim, na bënin me shenjë se kishin kuptuar dhe nisnin të shpjegonin duke pëshpëritur.

Më erdhi një buzëqeshje ironike. Shkolla-shtëpi i pati mbijetuar regjimit. Ia kallëzoi qejfin renovimi. Për inat që i ka mbijetuar regjimit.

Në kinema u nisa me atë ndjenjën që ma kishte krijuar vizita në shkollën-shtëpi. Kisha shkuar të mallëngjehesha me kujtimet e adoleshencës dhe përfundova i lehtësuar. S’kishte asgjë më aty që do të më mallëngjente.

U ndalën dritat. Më patën thënë që në fëmijëri se dritat në kinema ndalen që të shihet më mirë filmi. Filloi.

Bum. Skenë e parë, një party (zhurkë në kohën tonë) domosdoshmërisht në shtëpi dhe dikush thotë se po vjen policia, ndërsa fëmijët ikin. Më erdhi një ndjesi e lehtë ankthi.

Më 1992, mbrëmjen e maturës e patëm mbajtur në shtëpinë time dhe diku nga mesnata, fqinji i vetëm serb, kishte thirrur policinë. Dy policë erdhën në derë. Nuk qenë të egër, por kërkuan të ndalnim muzikën. Kur hyra brenda, pashë se X., shoku im i ngushtë, po dilte nga frizi. Ndërsa disa të tjerë kishin marrë të iknin nga ballkoni, ky kishte vendosur të fshihej në kutinë që ruante akull.

“Ku je o vishnje?” – e pata tallur. Ishte shaka në hesap të zahiresë kryesore të frizit: vishnjeve me të cilat bënim dimrit kompot, për të zëvendësuar lëngjet e frutave që nuk na i mbante xhepi t’i blinim.

Rëndom ky kujtim më sjell hare dhe gaz. Këtë herë, nën skenat e filmit, më solli riga lokale loti në faqe. Nuk po qaja, more. Burrëria ime u shndërrua në likuid që rridhte faqeve burrnisht me yrysh.

Për dikë që nuk e ka përjetuar atë periudhë, filmi është informacion dhe emocion. Për mua filmi „Dua“ është një kujtesë, ripërjetim i një periudhe, kur është dashur të kisha qarë, e nuk kisha asnjë pikë loti në trupin tim.

Lufta është një mënyrë tjetër e të jetuarit, pata menduar atëherë. Nuk duhej t’i nënshtrohej luftës. Jetonim në zhurka, dëgjonim heavy-metal. Putheshim. E ndonjëherë vinte policia e na ndiqte.

Bum. Skena tjetër. Headbanging me “Megadeth”. Burrëria ime mori një yrysh të ri likuid.

Regjisorja Blerta Basholli që është edhe bashkëskenariste, nuk e tregon luftën përmes betejave: babai vendos derë sigurie, familja mblidhet për të dëgjuar lajmin, duke pritur lajmin e gëzuar dhe duke diskutuar herë me pesimizëm e herë me hare.

E tregon nga perspektiva e një fëmije që rritet në kohë konflikti.

Nuk ia ka borxh askujt si fëmijë të përjetojë gjithë atë që përjeton, jo vetëm mbi trupin e saj, por edhe barrën e përjetimeve të të tjerëve, të babait, të vëllait, të nënës dhe të gjykohet: A qitash gjete m’u rebelu?

Skena kur kamera është te Dua e në prapavijë të ofruar përmes gepekut, po ia rrehin babën, është qëndrorja e filmit. Ajo nuk shikon pas. Ai hyn në makinë dhe thotë: kurrgjë s’është e gjaku i rrjedh në kokë. Është krejt filmi në një kuadër. Dhuna është jashtë fokusit, po fytyra e fëmijës në fokus. Kamera s’e tregon rrahjen, tregon çka i bën dhuna asaj që nuk guxon me këqyrë. Blur është prapavija, siç e sheh botën fëmija: e pranishme, por e paqartë. E pastaj vjen: kurrgjë s’u bë, fjalia me të cilën tërë brezi i prindërve tanë njëkohësisht edhe na ka mbrojtur, edhe na ka bartur drojën. Tani që jam vetë baba, po e shihja babanë tim në atë epokë.

Bum, një valë e re yryshi lëngëzor te unë.

Kujtova se e kisha kuptuar përse i mbyllin tamam dritat në kinema. Të të mos shohin tek qan. E megjithatë, kusha pranë ma ofroi një shami. Aty kuptova edhe një gjë tjetër. Lotët janë disi si tangat në plazh. Të gjithë sillen se është diçka normale, por u dalin sytë duç duke të të parë.

Blerta ka zgjedhur që disa referenca simbol, emri Dua a xhudoja, t’i mbajë si dekor.

Janë referenca për atë që ka prodhuar ai brez (Dua Lipa, medaljet e xhudos, vetë Blerta Bashollin). Xhudoja për Duan është arti i mbrojtjes që e kthen forcën e kundërshtarit kundër tij, pikërisht çka i vyn një vajze që duhet të mësojë të mbrohet fizikisht dhe emocionalisht. Këtu referenca bëhet motiv i motivuar e jo citat.

Referenca e Driton Kukës „mund ta gjunjëzosh gjigantin…“ është e dukshme. Kuka, vetë kampion si junior, nuk arriti të bënte karrierën e pritur, për shkak të situatës në Kosovë. Nuk kishte një flamur nën të cilin do të garonte. Bashkë me Sofinë, personazh skeçi i luajtur nga Luan Jaha në ato vite, në Dodonë si teatro-shtëpi, na kthen pikëshikimin te brezat që nuk patën mundësi të kishin dritën e projektorëve të festivaleve dhe të garave ndërkombëtare në vitet e okupimit.

Me këto referenca, Blerta Basholli e kthen filmin nga një rrëfim viktimash në një rrëfim origjine. Kjo epokë prodhoi një yll botëror si Dua Lipa, prodhoi kampione olimpike të xhudos dhe regjisore me Sundance e me Kanë. Kjo e dallon prej shumicës së filmave të luftës në rajon që mbarojnë me vdekjet e plagët.

Bum, skena e demonstratave. Një referencë e rëndomtë që sot është pamje historike e raportimeve ndërkombëtare.

Në ato demonstratat e marsit 1998, unë dhe shoku im X. po iknim nga policët dhe lotsjellësi. Kishim një mur që duhet ta kalonim. Para nesh, si e porositur, vajza që X. e simpatizonte. Ajo nuk po mund ta kalonte murin dhe X. ia vuri duart në vithe për ta shtyrë: „Më falni, allahile“, ndërsa ajo ia ktheu: „S’ka dert, s’ka dert, veç shtyjëm“. Shoku im X. ishte njeri i lumtur në atë çast.

Një e dridhmë e lehtë barku me lot të rinj më erdhën tinëz. Po e shihja filmin. Filmi po më shihte sehri edhe më shumë.

Jam linguist dhe filmat, rëndom, i gjykoj me ftohtësinë, me të cilën do t’i analizoja strukturat gjuhësore. I lexova disa nga recensionet ndërkombëtare. Ndonjë recension thoshte se filmi e ngarkon historinë individuale me përgjegjësinë e stërmadhe për ta përfaqësuar luftën dhe se linja e xhudos e shtruaka tezën se vetëmbrojtja individuale nuk mund të zgjidhë dhunën strukturore. Mos i lexoni ato recensione, se janë të dobëta. Nuk kanë ditur ta lexojnë filmin.

Ftohtësia ime do të donte të kishte në skenar një linjë që shpjegon historinë e prindërve të Duas para okupimit. Do të doja të ishte treguar se përse fëmijët janë në shkolla-shtëpi. Do të doja të dija se ç’u bë me Makin që po na tretet në fund, si Budallai që zhduket te Mbreti Lir i Shakespeare-it dhe nuk dihet se ç’u bë me të më pas. Mirëpo, nuk pata vakt prej lotëve të mendoja për këto. Vazhdova të kisha lëngje te sytë. Nuk po qaja. Po i laja sytë me sistem natyral.

Ishte film i përjetimit, por Blerta po ofronte perspektivën e vajzës, atë që unë nuk e kam jetuar. Policia më ka rrahur, por askush nuk më ka prekur vithet.

E megjithatë, kjo perspektivë femërore i jep filmit vlerë shtesë. Tre filma shumë të rëndësishëm kosovarë: „Zgjoi“, „Vera andërron detin“ dhe tash „Dua“ janë filma të grave, me personazhe gra.

Në vitet e rritës sime na mësonin se burrat nuk qajnë. Në epokën tonë, Blerta me shoqe na mësojnë vlerën e gruas dhe na mësojnë se burrat bën të qajnë.

Dikur vendosa të mblidhja veten, të kujtoja rregullat e rritës sime për burrat që nuk vajtojnë. Filmi po përfundonte dhe dritat po ndizeshin.

Pastaj bum. Përkushtimi në fund të filmit: „To my Mom and Dad”.

Shpesh vija nga puna në gazetë në orën 3 të mëngjesit më ’98 dhe ’99. Hyja lezëm të mos i zgjoja prindërit. Nëna ime më pati thënë njëherë: “E more, djalë. Ne rrinim tërë natën në dritare. Kur të shihnim që po vije, bëheshim se kemi fjetur”. Po: “To my Mom and Dad”.

Tashmë dritat ishin ndezur në sallën e kinemasë dhe njerëzit mund të m’i shihnin lotët.

“Jo, s’është gjë, veç sytë e mi patën një mendim tjetër për këtë skenën e fundit”, thashë.

Jetojmë në një epokë ku shkatërrohen shumë vlera. Kot ai shkatërrim. Vlerat prapë triumfojnë. Duke iu falënderuar njerëzve si Blerta. E Dua. E xhudoja (Toni, Majlinda, Distria e Nora).

E unë vazhdova të dënesja nëpër korridor, në parking, në makinë, në dhomën e fjetjes.

Filmi nuk qe i krijuar për të të bërë të qash. Thjesht, mua po më vinin lotët. Nuk ishin vetëm lot mallëngjimi. Po qaja për ngadhënjimin e atyre viteve. Për bukurinë e atij ngadhënjimi që Blerta kishte ditur ta rrëfente me triumfin e saj.

Me fjalë të tjera: regjisores së filmit “Dua” — bravo dhe faleminderit.