Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Dua” i kthehet Prishtinës me rrëfimin e luftës që rrëmben secilin

PriFest

“Dua” është film me nuanca autobiografike, por me mjeshtëri artistike që e bëjnë të jetë edhe kandidat i Kosovës për nominimin për çmimin “Oscar” (Foto: PriFest)

Pas premierës në Cannes e rrugëtimit të furishëm nëpër botë, “Dua” nën regji të Blerta Bashollit i është kthyer Prishtinës së cilës ia përjetëson në vepër filmike një kapitull historie të paraluftës e të luftës. Mjeshtërisht rrëfen fatin e shqiptarëve, dhe secili mund ta gjejë veten në këtë rrëfim. “Ta shfaqim filmin në Prishtinë është ndjenjë shumë e veçantë... Më falni...”, ka thënë ajo, derisa emocionet e kanë ndërprerë. “Ne jemi munduar ta tregojmë një copëz të vogël të historisë sonë, të qytetit tonë. Shpresoj e keni gjetur një copëz të vetes në këtë film”. Basholli ia ka dalë ta bëjë këtë

“Prishtinë, Kosovë, fundi i viteve ’90”, është mbishkrimi sqarues para se publiku të hyjë në rrëfimin e ditëve të fundit të paraluftës dhe luftës në filmin “Dua” të Blerta Bashollit. Historia që shpaloset në film nga një vajzë që është në prag të moshës 14-vjeçare ka nisur në Cannes, më pas ka vazhduar në festivale të tjera për t’u ndalur në Sarajevë dhe tash është kthyer në gjenezë: në qytetin prej nga nisi, Prishtinë. Një shpërndarje që i bën policia një ndeje adoleshentësh është kapitulli i parë. Në një orë e 40 minuta, Basholli rrumbullakon okupimin, trajtimin e shqiptarëve si njerëz të dorës së dytë, torturat, frikën dhe ditët e luftës. Nëpërmjet ekranit të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, që është hapur të martën pikërisht me këtë film, të pranishmit u kthyen në ndjesinë e atyre ditëve.

“Dua” është film me nuanca autobiografike, por me mjeshtëri artistike që e bëjnë të jetë edhe kandidat i Kosovës për nominimin për çmimin “Oscar”. Dua (Pinea Matoshi) mban mësimin në shtëpi-shkolla, pasi pushteti i Serbisë ka ndaluar përdorimin e ndërtesave publike nga shumica shqiptare në Kosovë. Të dy prindërit janë të papunë. I ati (Kushtrim Hoxha) rropatet me litra nafte për të nxjerrë ndonjë markë gjermane – valuta e asaj kohe – kurse e ëma (Yllka Gashi) qep në makinë për të fituar sadopak. Prindërve u është përmbysur bota mbi kokë. Kurse të rinjtë si Dua janë në një realitet që s’e kapin menjëherë.

Dua shahet në rrugë veç pse është shqiptare. Ngacmohet seksualisht nga ata që i mbron policia dhe i ngjan që të shohë kufoma gjatë rrugës. Të shtrirë në një qoshe sheh motrën e shoqes së saj. Skena flet për një vrasje, me gjasë pas një dhunimi. Janë trauma që kuptohen të plota veç kur shikohet filmi. Basholli, bashkëskenariste me Nicole Borgeat, ka bërë nënshtresime tejet kuptimplota. Çdo skenë është e menduar mirë dhe e kuruar në detaje. Dua lakmon të nisë ushtrimet në xhudo për t’u mbrojtur. Frymëzohet nga një mike që në Prishtinë vjen si refugjate nga Drenica. Krejt gjeneratës së saj i digjet e ardhmja para syve. Dhe ngadalë e marrin vesh se kjo u ngjan veç pse janë shqiptarë. Ikja nga Kosova është opsion për shumëkënd, por jo për familjen e saj. Pa kuadro masiv, duke ndjekur Duan, Basholli rrëfen luftën. Protesta të shtypura me shufra nga policia serbe e rrahja e babait të Duas nga policia në prani të vajzës adoleshente, janë momente që flasin më shumë sesa skenat masive të luftës. Dhe flasin fort nëpërmjet portretit të kompletuar të Pinea Matoshit. Tregon shumë për diskriminimin e vazhdueshëm ndaj shqiptarëve. Dhe filmi, në sajë të vlerave që ka, ka pasur premierën botërore në “Semaine de la Critique” të Festivalit të Cannes, ku u përzgjodh në garën e filmave të gjatë dhe fitoi çmimin “SACD”. I paraqet botës një rrëfim të sinqertë. Luftën në sytë e një adoleshenteje që do të duhej të shijonte gjërat e moshës së saj, siç bën nganjëherë në dhomë të fjetjes, kur ia thotë këngës me të madhe, kurse e ëma, pranë makinës së qepjes, shkrehet në vaj shkaku i fatit që kanë fëmijët e saj.

Nëpërmjet ekranit të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, që është hapur të martën pikërisht me këtë film, të pranishmit u kthyen në ndjesinë ditëve të fundviteve ’90 (Foto: PriFest)

Lotët e ka pasur të vështirë t’i mbajë edhe Basholli pas premierës.

“Ta shfaqim filmin në Prishtinë është ndjenjë shumë e veçantë... Më falni...”, ka thënë ajo, derisa emocionet e kanë ndërprerë.

“Ne jemi munduar ta tregojmë një copëz të vogël të historisë sonë, të qytetit tonë. Shpresoj e keni gjetur një copëz të vetes në këtë film”, ka thënë ajo. Ia ka dalë që ta bëjë publikun për vete. Ka ndërtuar copëza të gjithsecilit, pasi rrëfimin që shpalos e ka tejet të sinqertë.

“Filmi është shfaqur deri më tash në shumë vende të botës, por është emocion i veçantë të shfaqet para publikut tonë që e ka përjetuar këtë moment. Shpresoj se secili nga ju e ka gjetur një pjesë të vetes brenda filmit”, ka thënë producenti Valon Bajgora. Filmi, me producentë Valon Bajgorën dhe Yll Ukën nga “Ikonë Studio”, si dhe bashkëproducentë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin nga “Alva Film” në Zvicër dhe Amaury Ovise nga “Kazak Productions” në Francë, pas pak ditësh do të nisë të shfaqet në kinematë e vendit. Do të komunikojë me vendin prej nga vjen rrëfimi. Bashkëprodhimi midis Kosovës, Francës e Zvicrës, bashkë me “Shame and Money” të Visar Morinës, janë kryefjalë e edicionit të 18-të të “PriFestit”.

“Në pesë ditët e ardhshme në këtë festival do të shfaqen shumë rrëfime”, ka thënë zëvendësambasadori i Zvicrës, Christoph Fuchs, në ceremoninë e hapjes. Sipas tij, “Dua” është film i bërë me një bashkëpunim të ngushtë midis dy vendeve dhe është kënaqësi të shfaqet edhe në Prishtinë.

Për ministren në detyrë të Kulturës, Saranda Bogujevci, Festivali është një nga ngjarjet më madhore të ekranit në Kosovë. Ka thënë se “PriFest” ka nisur bashkë me Pavarësinë dhe, si Pavarësia, është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm.
“Disa nga filmat trajtojnë luftën që kemi përjetuar. Plagët e luftës ende janë të hapura”, ka thënë ajo. Sipas Bogujevcit, “PriFest” është i veçantë për shumë arsye, pasi bashkon talente nga vendi, rajoni e më gjerë.
“‘PriFest’ na tregon se ngjashmëritë tona janë më të mëdha se dallimet e po ashtu se arti ka veti shëruese, duke qenë ushqim për mendjen dhe shpirtin”, ka thënë midis të tjerash ajo në ceremoninë e hapjes.
E drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ka thënë se ky vit për filmin kosovar ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Kemi filluar vitin me ‘Shame and Money’, që do të mbyllë këtë edicion të festivalit, i cili hapet me ‘Dua’. Kosova dhe QKK-ja janë krenare për sukseset e filmit, sepse në garën ballkanike i kemi të gjithë filmat që në një mënyrë a tjetër janë subvencionuar nga QKK-ja”, ka thënë Zeqiri. E organizatori i Festivalit, Fatos Berisha, ka thënë se “Dua” është një film i Kosovës, i Zvicrës dhe i Francës.
“Shumica e filmave të garës ballkanike janë ose të Kosovës ose të përkrahur edhe nga Kosova”, ka thënë ai. Gara Ballkanike sivjet bashkon filmat “Dua”, “Hana”, “Gulizar”, “Vidra”, “To Potami” dhe “Shame and Money”.

Përtej filmave vendorë, edicioni i 18-të, që edhe sivjet mbahet nën motot “For Her” dhe “Forever. Vjosa”, dedikuar producentes së ndjerë dhe themelueses së Festivalit, Vjosa Berisha, sjell programin e ndërtuar mbi garat filmike dhe shkëmbimin ndërkombëtar.

“PriFest” zhvillon gara në kategorinë kryesore të filmave të gjatë ballkanikë, ndërsa programi përfshin edhe filma të metrazhit të mesëm dhe të shkurtër. Festivalit i janë bashkuar ndër vite edhe programe të tjera konkurruese e jokonkurruese, me synim zgjerimin e hapësirës për filma nga Kosova, rajoni dhe skena ndërkombëtare. Edhe filmat vendorë janë aso të ekraneve ndërkombëtare.

“Dua” mbyllet me portretin e adoleshentes në dritaren e trenit që deportonte shqiptarët nga Kosova. Ngjan sikur ai portret po zhvendoset për t’i treguar botës tmerrin e vitit 1999 në Kosovë. Dhe filmi po e bën këtë.