Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Bayerni dhe Musiala zhvillojnë bisedime konstruktive për rikuperimin

Jamal Musiala

Bayern Muncheni ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Jamal Musialas, ku është diskutuar gjendja shëndetësore e futbollistit dhe mbështetja gjatë procesit të rikuperimit.

Bayerni ka bërë të ditur se të martën ka zhvilluar një takim konstruktiv me menaxhmentin e futbollistit Musialas.

Sipas njoftimit të klubit, prioriteti kryesor i të dyja palëve është shëndeti i futbollistit, të cilit i është premtuar mbështetje e plotë gjatë gjithë periudhës së rikuperimit.

Pas spekulimeve të shumta të ditëve të fundit, Bayerni dhe agjencia 11WINS, që përfaqëson 23-vjeçarin Musialan, kanë dalë me një sqarim të përbashkët lidhur me situatën.

Në njoftim bëhet e ditur se gjermani Musiala është ekzaminuar për herë të parë më 22 prill 2025, pasi kishte shfaqur simptoma që ngjanin me kriza të mungesës së vetëdijes. Ekzaminimi ishte kryer në koordinim me klubin dhe departamentin e tij mjekësor, menjëherë pas shfaqjes së simptomave neurologjike.

Po ashtu, të dyja palët janë pajtuar që komunikimin dhe diskutimet t’i vazhdojnë në frymë bashkëpunimi dhe me ruajtjen e konfidencialitetit.

Bayerni ka theksuar se shëndeti i Musialas mbetet mbi gjithçka tjetër, ndërsa klubi do ta mbështesë futbollistin në çdo hap të rikuperimit.