Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Dua” në Kosovën e tensionuar në fund të viteve ‘90

Pinea Matoshi

Pinea Matoshi si Dua në filmin me të njëjtin titull nën regji të Blerta Bashollit

Blerta Basholli pas filmit “Zgjoi”, vjen me dramën e vendosur mes tensioneve të Kosovës së viteve ‘90. Filmi i regjisores, i prezantuar në “Javën e Kritikës” në Cannes të mërkurën e 13 majit, sjell një interpretim mbresëlënës nga aktorja debutuese, Pinea Matoshi

Wendy Ide

Adoleshenca e hershme është e vështirë edhe në rrethanat më të mira. Por për Duan 13-vjeçare (Pinea Matoshi), që rritet në Prishtinën e ndarë etnikisht në fund të viteve ‘90, ekziston edhe një shtresë tjetër e stresit. Lundrimi në “fushën e minuar” sociale të shkollës së mesme bëhet edhe më i ndërlikuar kur në ekuacion futen barrierat e padukshme mes shqiptarëve etnikë si Dua, dhe fqinjëve të tyre serbë. Puthja e parë në një diskotekë adoleshentësh është mjaftueshëm emocionuese edhe pa mundësinë që policia ushtarake serbe të bastisë ndejën. Filmi i dytë mbresëlënës i Blerta Bashollit sjell një perspektivë intime dhe personale mbi traumat e rritjes në kohë konflikti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Basholli shpërtheu në skenën botërore me filmi debutues të vlerësuar, “Zgjoi”, i cili fitoi “Çmimin e madh të jurisë”, “Çmimin e publikut” dhe “Çmimin për regji” në Festivalin “Sundance” më 2021, përpara se të grumbullonte edhe shumë çmime të tjera.

“Dua” mund ta ketë të vështirë të arrijë të njëjtin sukses të madh me çmime, por forcon më tej reputacionin e regjisores si një talent për t’u ndjekur dhe pritet të ketë një rrugëtim të suksesshëm në festival, pas premierës botërore në “Javën e Kritikës” në Cannes.

Filmi bazohet kryesisht në përvojat personale të Bashollit dhe të familjes e miqve të saj, me Duan e qetë dhe ekspresive që shërben si alteregoja e saj. Është një interpretim magnetik dhe i brishtë nga aktorja debutuese, Pinea Matoshi, e cila bëhet dritarja përmes së cilës publiku sheh tensionet në rritje në vend, ndërsa fytyra e saj mbetet në fokus kur momentet dramatike ndodhin jashtë kornizës së kamerës.

Filmi hapet me një skenë që mund të ndodhte në çdo banjë vajzash, në çdo diskotekë, në çdo vend të botës. Adoleshentet rregullojnë grimin dhe flokët; bëjnë thashetheme për djemtë e vrenjtur e të turpshëm që pëlqejnë. Në pistën e vallëzimit, bëhen çift një nga një, ndërsa Dua është tepër e turpshme për të shikuar në sy djalin që më në fund merr guximin ta ftojë për vallëzim. Por ky është vetëm një moment i shkurtër normaliteti në një fëmijëri vazhdimisht të ndërprerë: policia mbërrin në mënyrë brutale dhe fëmijët ikin me vrap nga lokali, duke iu shmangur shkopinjve që godasin dhe fyerjeve verbale.

Kjo është e para nga shumë skena në të cilat Basholli eksploron me mjeshtëri dinamikat që ndryshojnë brenda grupeve të mëdha njerëzish. Dua rrallë është vetëm; të jesh vetëm do të thotë të jesh i pambrojtur. Ajo është më e vogla nga katër fëmijët që jetojnë në një apartament të vogël, ku nëna e tyre (ylli i filmit “Zgjoi”, Yllka Gashi) punon nga shtëpia si rrobaqepëse. Dhe numri i njerëzve në banesë shpesh shtohet edhe më shumë nga familjarë të mbledhur për dreka apo nga miqtë studentë të vëllait të Duas, që strehohen aty pas sulmeve me gaz lotsjellës nga policia.

Kinematografia e Lucie Baudinaud është e shkathët dhe kureshtare; përdorimi i planeve të gjata dhe kamerës së lëvizshme me dorë shton një ndjenjë shqetësimi dhe një atmosferë paranoje të heshtur e vigjilente. Por pavarësisht lëvizjes së vazhdueshme, kornizimi i kujdesshëm bën që sytë tanë të tërhiqen vazhdimisht nga shprehja vëzhguese e Duas, edhe kur ajo ndodhet në periferi të ngjarjes. Në skena të tjera, fytyra e saj vihet në plan të parë: ka një skenë rrëqethëse në fund të filmit ku dhuna e nënkuptuar në ajër fillon të shfaqet fizikisht. Dua lutet të shkojë me të atin në një udhëtim me makinë (i pushuar nga puna, me gjasë për shkak të përkatësisë etnike, ai blen dhe shet benzinë për një fitim të vogël). Por ata ndalohen nga policia ushtarake serbe dhe babai detyrohet të hapë bagazhin e makinës. Pason një rrahje e rëndë. Dua mbetet e ngrirë, e paaftë të kthejë kokën dhe të bëhet dëshmitare e rastit. Por ajo e sheh shumë qartë gjakun që i rrjedh poshtë qafës kur babai i saj kthehet në makinë.

Bazat e fëmijërisë janë ndërprerë për fëmijët si Dua. Normaliteti i ri, me shkollat e mbyllura, janë mësimet e improvizuara në apartamentin e ngushtë të një mësuesi të mbingarkuar dhe të papaguar. Pikërisht aty Dua takon Makin (Vlera Bilalli), një vajzë nga një fshat rural i Kosovës i shkatërruar nga lufta, e cila e frymëzon Duan me guximin e saj dhe e prezanton atë me xhudon. Gradualisht, frika te Dua dhe te të tjerët, si vëllai i saj i dashur Vegimi (Andi Bajgora), fillon të zbehet dhe zëvendësohet nga zemërimi. Por, siç e kuptojnë me të drejtë prindërit e Duas, frika është ajo që të mban gjallë, dhe jeta në Prishtinë mund të rezultojë të jetë një dënim me vdekje për fëmijët e tyre.

Marrë nga “ScreenDaily”. Përktheu: Edona Binaku