Njohësi i politikës së jashtme Besar Gërgi thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk po sheh arsye pse ta ndalë luftën në Ukrainë. Gërgi në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se sanksionet e Perëndimit nuk kanë bërë efektin që pritej, e Rusia në fushëbetejë po përparon.
Gërgi thotë se Putini nuk e ka pranuar propozimin e SHBA-së për paqen dhe se deklarimi i sotëm në Kirgistan që kjo mund të jetë pikënisje, dëshmon këtë.
“Nga Putini e dëgjuam se ky plan shërben si pikënisje për një marrëveshje të ardhshme. Në një mënyrë thotë se s’ka dakordim mes neve, por do të vijë më vonë. Ai i referohet planit 28-pikësh, nuk i referohet drafit të dakorduar mes SHBA-së dhe Ukrainës. E anashkalon atë. Për Putinin s’ka marrëveshje. Ishte një analizë e mirë në New York Times. Tregon se si Rusia po përparon në fushëbetejë dhe ekonomikisht sanksionet nuk e bën dëmin që pritej dhe nuk e dobësuan Rusinë siç pritej. Putini nuk sheh arsye pse ta ndalojë luftën, e fatkeqësisht siç po shihet kjo luftë ka të ngjarë të vazhdojë në muajt e ardhshëm”, tha Gërgi.
Ai ka thënë se emisari i SHBA-së, Steve Witkoff, nuk ka shumë përvojë në diplomaci dhe po i keqlexon mesazhet ruse.
“Witkoff është person që nuk ka shumë përvojë në diplomaci. Po i keqlexon disa mesazhe ruse, sikur ka gatishmëri për një marrëveshje. E patëm këtë gjatë pranverës dhe tani një tjetër. Kthehet në Washington me lajme se rusët janë të gatshëm e vetëm duhet bindur ukrainasit. Kjo po e shtyn Trumpin në mënyrë që të bëjë presion të madh te Ukraina, pasi po merr mesazhe se Kremlini është në anën e duhur e vetëm duhet bindur Zelenskyn që marrëveshja të përfundohet”, ka thënë Gërgi.