Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini e sheh planin e paqes si pikënisje, i kërkon Ukrainës të tërhiqet

Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ripërsëritur kërkesat e tij bazë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se Rusia do t’i ulë armët vetëm nëse Ushtria e Ukrainës tërhiqet nga territoret të cilat Moska i pretendon si të vetat. 

Putini gjatë ka insistuar për njohje të ligjshme të territoreve ukrainase që Rusia i ka marrë me forcë. 
Këtu përfshihen gadishulli i Krimesë, që u aneksua ilegalisht në vitin 2014, dhe Donbasi, i përbërë nga Luhansku e Donetsku, pjesët më të mëdha të të cilave Moska i ka okupuar tashmë.

Për Ukrainën, që ka përjashtuar mundësinë e dorëzimit të pjesëve të Donbasit që i mban, do të ishte shpërblim për agresionin rus nëse i dorëzon ato. 

Duke folur për gazetarët gjatë udhëtimit në Kirgistan, Putini ka akuzuar Kievin se po dëshiron të luftojë “deri në ukrainasin e fundit” – gjë që ai tha se Rusia “në parim” është e gatshme po ashtu ta bëjë. 

Ai thotë se Rusia ka iniciativën në fushëbetejë dhe se luftimet mbarojnë kur trupat ukrainase të tërhiqen. 

Edhe Kremlini përsërit deklaratën e Putinit se lufta në Ukrainë është gati të mbarojë Botë 2 muaj më parë Kremlini përsërit deklaratën e Putinit se lufta në Ukrainë është gati të mbarojë

“Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, ka thënë Putin. 

Megjithatë, përparimet e ngadalta të Rusisë në pjesën lindore të Ukrainës kanë ardhur me një kosto të konsiderueshme, duke humbur shumë ushtarë. Sipas Institutit për Studimin e Luftës me seli në SHBA, me këtë ritëm Moskës do t’i duheshin pothuajse dy vjet të tjera për ta pushtuar pjesën tjetër të rajonit të Donetskut. 

Komentet e të enjtes ishin të parat nga Putini pas lëvizjeve të ngjeshura diplomatike, ku SHBA-ja dhe Ukraina në Gjenevë zhvilluan të dielën e të hënën bisedime mbi planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Ky plan është thënë se ishte hartuar në tetor nga zyrtarë amerikanë dhe ata rusë. 

Plani, i cili kishte anuar shumë nga kërkesat e Moskës, u rishikua më pas. Megjithatë, mendohet se nuk trajton çështjen e territoreve të pushtuara, e cila – së bashku me garancitë e sigurisë për Ukrainën – është pika më e madhe e mosmarrëveshjes mes Moskës dhe Kievit. 

Putini tha se drafti i ri i planit i është treguar Rusisë dhe se ai mund të bëhet si “bazë” për një marrëveshje të ardhshme për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, ai shtoi se është “absolutisht e nevojshme” të diskutohen “disa pika specifike që duhet të vendosen në gjuhën diplomatike”. 

I pyetur për mundësinë që Krimea dhe Donbasi të njihen si nën kontrollin de facto rus, por jo edhe ligjërisht, Putini tha: “Kjo është pika e diskutimit tonë me homologët tanë amerikanë”. 

Edhe Putini beson që lufta në Ukrainë po përfundon Botë 2 muaj më parë Putini beson që lufta në Ukrainë po përfundon

Një delegacion amerikan, i drejtuar nga emisari i SHBA-së, Steve Witkoff, pritet ta vizitojë Moskën gjatë javës së ardhshme, tha Putin. 

Presidenti amerikan Donald Trump u ka thënë gazetarëve se Witkoffit mund t’i bashkohet në Moskë edhe Jared Kushner, që është dhëndri i Trumpit. 

Ndërkohë, këshilltari i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, tha se sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, do ta vizitojë Kievin gjatë kësaj jave. 

Të mërkurën, Trump tha se kanë mbetur “vetëm disa pika mosmarrëveshjeje” mes Rusisë dhe Ukrainës – duke treguar se çdo takim me presidentin e Ukrainës, Zelensky, për të diskutuar këto pika, varej nga arritja e një marrëveshjeje paqeje. 

Gjatë komenteve të tij për gazetarët, Putini shprehu përsëri përbuzjen e tij për udhëheqjen ukrainase, të cilën ai e konsideron të paligjshme. Prandaj, ai shtoi se “nuk ka kuptim” të nënshkruajë ndonjë dokument me ta. 

Ukraina ka qenë nën gjendje lufte që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt të vitit 2022 dhe për këtë arsye nuk ka qenë në gjendje të mbajë zgjedhje. Më herët këtë vit, Parlamenti i Ukrainës votoi unanimisht për ta konfirmuar legjitimitetin e presidentit Zelensky, mandati i të cilit përfundoi në pranverë. Putini po ashtu hodhi poshtë paralajmërimet e udhëheqësve evropianë se Rusia mund të sulmonte kontinentin evropian brenda dekadave të ardhshme. 

“Kjo na duket vërtet qesharake”, thotë ai. 

Edhe Putin: Ukraina tani kontrollon vetëm 15% të Donetskut Botë 4 muaj më parë Putin: Ukraina tani kontrollon vetëm 15% të Donetskut

Shtëpia e Bardhë dhe presidenti amerikan Donald Trump janë optimistë se mund të arrihet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por evropianët kanë shprehur vazhdimisht skepticizmin e tyre nëse Putini vërtet dëshiron t’i japë fund luftës. 

Të mërkurën, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e akuzoi Rusinë se po mbështet një mentalitet të pas Luftës së Dytë Botërore dhe se e sheh kontinentin si një “sferë ndikimi” në të cilën kombet sovrane mund të “ndaheshin”.