Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Muriqi premton të vazhdojë me gola edhe te Fenerbahçe

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi është larguar nga Mallorca si golashënuesi më i mirë i skuadrës në La Liga dhe i është bashkuar Fenerbahçes.

Sulmuesi shtatlartë i Kosovës ka vendosur për klubin e madh turk, pasi Mallorca nuk arriti ta sigurojë qëndrimin në La Liga edhe për një edicion tjetër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Muriqi largohet nga ishulli spanjoll me 58 gola të shënuar e 12 asistime në 155 paraqitje.

“Mirë se vjen në familjen tonë, Vedat Muriqi”, ka shkruar klubi i madh turk, duke ia bashkangjitur edhe dy zemra, me ngjyrë të verdhë e të kaltër, që janë ngjyrat e klubit.

Fenerbahçe të premten ka postuar edhe disa fotografi të Muriqit gjatë nënshkrimit të kontratës.

Muriqi ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Fenerbahçen. Ai i kreu testet mjekësore të enjten mbrëma, ndërsa u raportua se transferimi është mbyllur për 15 milionë euro.

Prizrenasi kishte kontratë me Mallorcan deri në vitin 2029, por 32-vjeçari vendosi për Fenerbahçen dhe u shpreh i lumtur pas rikthimit te kjo skuadër.

“E falënderoj përzemërsisht Presidentin, trajnerin Oguz, trajnerin e dashur Ismail Kartal dhe tifozët me vlerë të Fenerbahçes që më konsideruan të denjë për ta veshur këtë fanellë sërish. Mund të jeni të sigurt se do të luftojë për këtë emblemë. Mund të them nga tani se do të jem i denjë për këtë fanellë, si gjithmonë. Shpresoj që fundi i rrugës të jetë me titull kampioni”, ka deklaruar Muriqi për faqen zyrtare të klubit.

Muriqi kaloi në Mallorca si i huazuar në afatin kalimtar dimëror të edicionin 2021/22. Ai luajti rol në qëndrimin e Mallorcas në La Liga me pesë gola e tri asistime. Në verën e po atij viti, Muriqi u transferua plotësisht.

Edicionin 2022/23, e mbylli me 16 gola në La Liga dhe në Kupën e Mbretit. Në dy edicionet tjera, Muriqi shënoi nga shtatë gola dhe shkoi deri në finale të Kupës së Mbretit në vitin 2024, dhe në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës në vitin 2025.

Në edicionin tashmë të përfunduar, Muriqi e kaloi legjendën kamerunase, Samuel Eto’o, që kishte 57 gola në La Liga. Ai e mbylli sezonin si golashënuesi i dytë më i mirë me 23 gola.

“Sulmuesi largohet mbi të gjitha si legjendë në klub dhe njëri prej lojtarëve më të dashur nga gjithë tifozët për paraqitjet brenda dhe jashtë fushës. RCD Mallorca e vlerëson kontributin për klubin dhe i dëshiron atij më të mirën në të ardhmen”, ka shkruar Mallorca të premten.

Muriqi e nisi rrugëtimin si futbollist te Liria e Prizrenit, ndërsa luajti edhe në Shqipëri te Teuta dhe Besa.

Më pas u transferua në Turqi, ku bëri karrierë te Giresunspori, Genclerbirligi e Rizespori. Nga Rizespori shkoi te Fenerbahçe, e më pas edhe te Lazio.

Me Fenerbahçen i luajti 36 ndeshje, dhe pati 17 gola e shtatë asistime.

Muriqi është sulmuesi më i mirë i Kosovës me 32 gola në 68 paraqitje.