Edicioni i kaluar ishte bindshëm më i miri në karrierën e Vedat Muriqit, sa u takon statistikave individuale. Ai i realizoi plot 23 gola për Mallorcan, duke u shpallur golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga të Spanjës. Vetëm Kylian Mbappe kishte më shumë gola – 25. Megjithatë Mallorca nuk siguroi mbetjen në La Liga dhe Muriqi vendosi të largohet. Ai në fakt solli shumicën e pikëve për skuadrën spanjolle, por nuk kishte ndihmën e duhur nga bashkëlojtarët.
Muriqi shpejt vendosi për të ardhmen, duke pranuar ofertën e Fenerbahçes. Dhe fillimi te Fenerbahçe po del të jetë shumë premtues. Muriqi tashmë i ka tre gola të realizuar për gjigantin nga Stambolli. Ka shënuar dy gola në tri paraqitje në Superligën turke, kurse e ka edhe një asistim. Ndërkohë e realizoi edhe një gol vendimtar për kthimin e Fenerbahçes në Ligën e Kampionëve pas plot 18 vjetësh.
32-vjeçari ka realizuar gola në tri ndeshje rresht. Por, a mund t’i kalojë shifrat e edicionit të kaluar? Nëse vazhdon me ritmin aktual, po.
Kampionati turk i ka 34 xhiro, për dallim nga ai spanjoll që zhvillohet në 38 xhiro. Kështu Muriqi do të ketë më pak ndeshje kampionale se në Spanjë. Por do t’i ketë të paktën tetë ndeshje në Ligën e Kampionëve. Dhe disa në Kupën e Turqisë.
Te Fenerbahçe, Muriqi është i rrethuar nga lojtarë cilësorë, derisa kjo i ka munguar te Mallorca. Në skuadrën spanjolle e gjithë loja është bazuar në Muriqin, ndërsa përgjegjësia te Feneri mund të jetë më e shpërndarë. Por në të njëjtën kohë edhe fokusi i mbrojtësve kundërshtarë nuk do të jetë vetëm tek ai. Po ashtu mbrojtësit në Turqi nuk e kanë cilësinë e mbrojtësve të skuadrave më të mëdha spanjolle.
Edicionin e kaluar prizrenasi e nisi me karton të kuq në ndeshjen ndaj Barcelonës. Më pas mungoi ndaj Celta Vigos, kurse i shënoi katër gola në tri ndeshje rresht – ndaj Real Madridit një, ndaj Espanyolit dy dhe ndaj Atletico Madridit një. Ata gola megjithatë i sollën Mallorcas vetëm një pikë.
Te Fenerbahçe, tre golat e Muriqit u shënuan në tri fitore.
“Fenomeni Vedat Muriqi ka goditur edhe Samsunin po ashtu”, ka shkruar gazeta e madhe turke “Hurriyet”, të hënën.
“Vedat Muriqi e dërgon serinë në tri ndeshje: Konya, Lyon dhe Samsun”, është titullin i shkrimit të “CNN Turk”.
“STAR” shkruan: “Vedat Muriqi është i pandalshëm! Gjeti rrjetën edhe ndaj Samsunsporit”.
Në frymë të njëjtë kanë shkruar shumica e mediumeve turke. Fenerbahçe fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Samsunsporit, të dielën. Ndeshja i takoi xhiros së tretë të kampionatit turk. Fenerbahçe e nisi kampanjën me humbje 2:1 nga Gençlerblirligi dhe më pas fitoi ndaj Konyasporit 4:2 dhe ndaj Samsunsporit. Për më tepër eliminoi Lyonin në plejof të Championsit dhe bëri vend në garën elitare evropiane.
Muriqi nuk realizoi në tri ndeshjet e para me Fenerbahçen, tek e cila skuadër është kthyer pas gjashtë vjetësh. Ai pësoi lëndim në fillim të fazës përgatitore dhe mungoi shumë javë në stërvitje. Por po e gjen formën më të mirë. Dhe, çka është më e rëndësishmja, po shënon gola.