Futboll

Adrion Pajaziti transferohet te Hajduku i Splitit

Adrion Pajaziti

Futbollisti nga Kosova, Adrion Pajaziti, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë.

Pajaziti të martën pasdite ka firmosur me gjigantin kroat, Hajdukun e Splitit.

22-vjeçari, që është reprezentues i Shqipërisë, është transferuar te Hajduku nga Fulhami anglez. Por ai nuk ishte pjesë e planeve të Fulhamit dhe nuk ka depërtuar në ekipin e parë të këtij klubi.

Mesfushori ka firmosur për katër vjet me Hajdukun. Menjëherë është bashkuar në stërvitje me ekipin nga Spliti, ndërsa në fanellë do ta mbajë numrin 4.

Pajaziti është i lindur në Londër, ku edhe nisi ta mësojë futbollin te Fulhami. Ka pasur periudhë huazimi te Haugesundi në Norvegji, ndërsa së fundi ishte te Gorica në Kroaci, po ashtu në huazim. Te Gorica la përshtypje dhe ngjalli interesimin e disa skuadrave. Me Goricën i kishte 23 paraqitje zyrtare, kurse realizoi tri gola.

Me ekipin e parë të Fulhamit e ka luajtur vetëm një ndeshje, në kuadër të Kupës EFL. Bëhet fjalë për një ndeshje të 24 gushtit të vitit 2021 ndaj Birmingham Cityt.

“Adrioni ka luajtur për grupmoshat e reja të Kosovës e Shqipërisë, ndërsa në mars debutoi te Shqipëria A në ndeshjen në ‘Wembley’ ndaj Anglisë. Për Shqipërinë tashmë ka luajtur dy ndeshje zyrtare. Adrion, të dëshirojmë shumë fat, sukses dhe paraqitje të mira me fanellën e bardhë”, ka shkruar Hajduku në njoftim.

Pajaziti kishte nisur te Shqipëria U19 e më pas vazhdoi te Kosova U21. Në një lëvizje që bëri bujë, Pajaziti sërish u kthye te kuqezinjtë dhe tani ka arritur në Kombëtaren A.

Hajduku është prej klubeve më të mëdha në regjion. Dallohet për përkrahjen e madhe dhe të zjarrtë që ka nga tifozët, përkatësisht nga tifo-grupi i famshëm “Torcida”. Stadiumi “Polud” në Split, mbushet vazhdimisht, ndërsa të gjithë lojtarët flasin për emocionet e veçanta të paraqitjes para “Torcidës”. Këto emocione tani do t’i përjetojë edhe Adrion Pajaziti.