Skuadra e Newcastle Unitedit e ka kompletuar transferimin e sulmuesit Anthony Elanga. Suedezi Elanga të premten edhe zyrtarisht i është bashkuar skuadrës së Newcastlet.
Ai me klubin anglez ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2030.
Newcaslte i ka paguar Nottingham Forestit 55 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e Elangas. Ai është bërë futbollisti i dytë më i shtrenjtë në histori të klubit.
Elanga u shpreh i lumtur pasi iu bashkua Newcastlet.
“Jam i emocionuar, jam vërtet i lumtur, por më e rëndësishmja është se jam gati. Kalova dy vite të mrekullueshme te Nottingham Foresti. Klubi fitoi një trofe sezonin e kaluar dhe po ndërton diçka unike, diçka të veçantë, pjesë e së cilës dua vërtet të jem. Dua vërtet të pranoj kulturën, ADN-në e këtij klubi. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj”, theksoi 23-vjeçari Elanga.
Ndërkohë trajneri i Newcastlet, Eddie Howe, tha se Elanga do ta përforcojë edhe më shumë skuadrën.
“Jam i kënaqur që e mirëpres Anthonyn në Newcastle United. Ai ka qenë një objektiv kyç për ne. Shpejtësia, energjia dhe aftësia e tij për të krijuar dhe shënuar gola do të na forcojnë dhe do të plotësojnë mënyrën se si duam të luajmë. Të gjithë mezi presim të punojmë me të”, shtoi Howe.